A mund ta ndalojë Swift luftën e Rusisë?
Swift është shkurtimi për Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën. Swift është sistemi kryesor i sigurt i mesazheve që bankat përdorin për të kryer pagesa të shpejta dhe të sigurta ndërkufitare, duke lejuar që tregtia ndërkombëtare të rrjedhë pa probleme. Ky sistem është bërë mekanizmi kryesor për financimin e tregtisë ndërkombëtare.
Nëse Swift është sistem neutral, a duhet të ndërhyjë në këtë rast?
Në të kaluarën, Swift i ka rezistuar thirrjeve për të vendosur bllokimeve ndaj vendeve të caktuara, duke e përshkruar veten si neutral. Por në vitin 2012, Bashkimi Europian e ndaloi Swift-in t’u shërbente firmave dhe individëve iranianë të sanksionuar në lidhje me programin bërthamor të Teheranit.
Sa serioz do të ishte bllokimi i Rusisë në Swift?
Transaksionet e zakonshme do të duhej të kryheshin drejtpërdrejt ndërmjet bankave, ose të drejtoheshin përmes sistemeve rivale të reja, duke shtuar kostot dhe duke krijuar vonesa.
Pse SHBA heziton?
Një arsye është fakti se ndikimi në bizneset ruse mund të mos jetë aq serioz. Kreu i një banke të madhe ruse, VTB, tha kohët e fundit se ai mund të përdorë kanale të tjera për pagesa, si telefonat, aplikacionet e mesazheve ose emailet. Bankat ruse gjithashtu mund të drejtojnë pagesat nëpërmjet vendeve që nuk kanë vendosur sanksione, si Kina, e cila ka krijuar sistemin e saj të pagesave për të rivalizuar Swift. Ndalimi i përdorimit të Swift nga Rusia mund të përshpejtojë përdorimin e sistemit rival të Kinës, Cips. Ekziston gjithashtu një frikë se mund të dëmtojë statusin e dollarit amerikan si monedhë rezervë globale dhe të përshpejtojë përdorimin e alternativave të tilla si kriptovalutat.
A do të ndikonte te vendet e tjera?
Administrata Biden është gjithashtu e shqetësuar se një bllokim i Rusisë në Swift mund të dëmtojë aleatët e saj po aq sa firmat ruse. Rusia është një blerës i madh i mallrave të prodhuara nga jashtë, veçanërisht nga Holanda dhe Gjermania. Rusia është furnizuesi kryesor i BE-së për naftën e papërpunuar, gazin natyror dhe lëndët djegëse të ngurta fosile. Pra, vendet europiane mund ta kenë më të vështirë të gjejnë furnizues zëvendësues. /Anabel/