A po bashkohen Thaçi dhe Ahmeti në Maqedoni?!
Analistët politikë nga Prishtina theksojnë se ideja për unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni nuk është risi dhe kërkesë e vetëm Hashim Thaçit.
Komentet e tyre për mediat maqedonase vijnë një ditë pasi që ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi që partitë shqiptare kryesore BDI dhe PDSH të unifikojnë qëndrimet e tyre për fuqizimin e faktorit politik shqiptar dhe avancimin e çështjeve të shqiptarëve në Maqedoni.
Kështu, analisti dhe publicisti Nexhmedin Spahiu vlerëson për INA-n se faktorit politik shqiptar sigurisht dhe është domosdoshmëri që të merret vesh për disa qëndrime dhe çështje unike bazë sa i përket avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
“Kjo ide apo kërkesë nuk është risi. Ata duhet të merren vesh dhe të përkrahin çështje të caktuara dhe thelbësore për shqiptarët.Dy partitë më të mëdha BDI dhe PDSH duhet të bashkëpunojnë dhe koalicionojnë për çështje jetike, por natyrisht jo për të gjitha çështjet, sepse do të humbiste kuptimi i ekzistencës së dy partive”, theksoi analisti Spahiu.
Ai ka përkujtuar edhe zgjedhjet e fundit parlamentare, ku siç theksoi se Hashim Thaçi kishte rekomanduar Ahmetin që të përkrahte kandidatin maqedonas të opozitës për president në raundin e dytë, Stevo Pendarovskin.
“Hashim Thaçi atëherë e përkrahu Pendarovskin dhe ndoshta e ka përkujtuar Ahmetin se pse nuk deshti të përkrahë këtë kandidat. Nëse do ta bënte këtë faktori shqiptar do t'ishte fuqizuar edhe në rast se opozita maqedonase do të humbiste këto zgjedhje presidenciale”, theksoi Spahiu.
Kurse analisti Halil Matoshi gjithashtu vlerëson nevojën e një bashkëpunimi të domosdoshëm duke pasur parasysh sipas tij momentin e një krize të thellë politike dhe për të mos i dhënë alibi dhe akrobacione të tjera pushtetit të Nikola Gruevskit.
Sipas tij gjithsesi duhet të shfrytëzohet edhe momenti kur është hapur Kushtetuta për ndryshime të saj, por tani për tani vetëm ato që i konvenojnë partisë së Gruevskit.
“Faktori shqiptar duhet të ketë një platformë të përbashkët, sidomos kur janë në pyetje momente dhe çështje madhore të shtetit që prekin edhe shqiptarët. Ata duhet të kenë votë të unifikuar në Kuvendin e Maqedonisë lidhur me çështjet e shqiptarëve dhe hapjen e tyre për debat”, deklaroi për INA analisti Halil Matoshi.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dje në Tetovë kërkoi bashkëveprimin e faktorit politik shqiptar me theks të veçantë duke nënvizuar emrat e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit.
Por një kërkesë të tillë e kishte bërë kohë më parë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili kishte arritur që të ulë bashkërisht Ahmetin dhe Thaçin në Shkup. Por përkundër këtyre përpjekjeve dy partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta me akuza dhe reagime të ashpra.