Acari mbërthen Greqinë, temperaturat arrijnë -18 gradë celsius

Greqia është goditur në orët e fundit nga një valë e motit të acartë e quajtur “Leandros”, e cila ka sjellë në fillim reshje bore në të gjithë Greqinë kontinentale dhe disa ishuj, e më pas temperatura te acarta.

Reshjet e borës gjatë gjithë ditës se shtunë kanë sjellë probleme të shumta me transportin prej zonave periferike te Athinës, në Greqinë qendrore e sidomos në gjithë Greqinë e veriut.

Në shumë rrugë nacionale lëvizja e automjeteve kryhet vetëm me ndihmën e zinxhirëve, ndërsa policia rrugore ka ndaluar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Prej orëve te mbrëmjes të së shtunës reshjet e borës u pasuan nga temperatura tepër të ulëta deri në -17 gradë, ndërsa në disa zona të Greqisë veriore si Klisura e Kosturit, liqeni i verdhe i Kozanit, apo edhe qendra sportive dimërore Kaimakcalan pranë Edesës, termometri shënoi mbi 18 gradë celsius nën zero.

Edhe pranë qytetit te Selanikut disa rrugë nacionale janë ende të mbyllura pasi bora ka ngrirë dhe po bëhen përpjekje për hapjen e tyre. Autoritet lokale kanë vendosur që në disa prej këtyre bashkive apo komunave, shkollat fillore që u hapën vetëm një javë më parë për shkak të pandemisë të mbeten të mbyllura. Prej motit të keq disa dhjetëra fshatra në Greqinë e veriut nuk kanë pasur energji elektrike. Sipas meteorologëve temperaturat e ulëta dhe moti i acartë do të vazhdojnë edhe për të paktën 24 orë të tjera.

SHKARKO APP