Aksidenti tragjik që shkaktoi 178 viktima/ Irani nis kutitë e zeza të avionit në Ukrainë

Teherani pritet t’i dërgojë në Ukrainë kuti e zeza të aeroplanit të pasagjerëve që u godit aksidentalisht nga ushtria iraniane këtë muaj. Njoftimi u bë nga agjensia iraniane e lajmeve “Tasnim” të shtunën. Autoritetet iraniane janë gjithashtu të përgatitur që ekspertë nga Franca, Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të ekzaminojnë të dhënat nga kutitë, njoftoi e njëjta agjenci.

Incidenti i 8 janarit shkaktoi vdekjen e të 176 personave që ndodheshin në avion. “Falë ekspertizës franceze, kanadeze dhe amerikane do të përpiqemi të lexojmë të dhënat e regjistruara të fluturimit në Ukrainë”, tha Hassan Rezaifar, drejtori përgjegjës për hetimin e aksidenteve në Autoritetit iranian të Aviacionit Civil. “Nëse kjo përpjekje do të jetë e pasuksesshme, atëherë kutitë e zeza do të dërgohen në Francë. Kutitë e zeza nuk do të lexohen në Iran”, shkruante agjencia “Tasnim” duke cituar zotin Rezaifar.

Pesëdhjetë e shtatë nga pasagjerët që humbën jetën ishin kanadezë. Kryeministri Justin Trudeau, i cili ka bërë presion për një hetim të plotë të incidentit, tha të premten se Irani duhet t’i dërgojë kutitë e zeza në Francë për shqyrtim. Franca është një nga vendet e pakta me aftësinë për të lexuar regjistruesit e të dhënave të fluturimit dhe kabinës së avioni, që siç tha ai kanë marrë dëmtime të rënda, raporton Voa.

Irani është përballur me një krizë të thellë si jashtë ashtu edhe brenda vendit lidhur me ngjarjen për shkak se autoriteteve në Teheran iu deshën disa ditë deri sa të pranonin se ishte ushtria iraniane përgjegjëse për rrëzimin aksidental të avionit.

Incidenti ndodhi ndërsa Irani ndodhej në gjendje gatishmërie të lartë duke kryer një sulm hakmarrës ndaj SHBA-së për shkak të vrasjes së një gjenerali iranian.

SHKARKO APP