Al-Qaeda njofton “luftë në të gjitha frontet” kundër Amerikës, ndërsa Biden tërhiqet nga Afganistani
Kjo fundjavë shënon 10 vjetorin që kur Osama Bin Laden, kreu i sulmeve të 11 Shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara, u vra nga forcat speciale amerikane brenda kompleksit të tij në qytetin Abbottabad, në Pakistan.
“Lufta kundër terrorit” në Amerikë është gati të hyjë në një fazë të re, ndërsa Presidenti Joe Biden përgatitet të tërheqë të gjitha forcat e SHBA nga Afganistani deri në 20 vjetorin e 11 shtatorit, por tani al Qaeda pretendon se luftës me Amerikën nuk i ka ardhur ende fundi.
Në një intervistë ekskluzive për CNN, dy pjestarë të al Qaeda-s thonë se “lufta kundër SHBA do të vazhdojë në të gjitha frontet e tjera nëse ata nuk largohen nga pjesa tjetër e botës islamike”.
Në të kaluarën al Qaeda rrallë u është përgjigjur pyetjeve, duke zgjedhur të fshihet pas propagandës së vet. Është e paqartë arsyeja se pse grupi ka zgjedhur ta bëjë këtë deklaratë tani.
Analisti i terrorizmit Paul Cruickshank, thotë se është e mundur që “ata ndihen të mërzitur nga vendimi i administratës së Biden për të tërhequr trupat nga Afganistani, por ata gjithashtu mund të kërkojnë të zhvendosin vëmendjen nga shumë humbje që kanë pasur kohët të fundit “.