Aleksis Cipras, mandatohet nga presidenti për formimin e qeverisë

Aleksis Cipras, mandatohet nga presidenti për formimin e qeverisë

Nga Kujtim VANI

 

Me përfundimin e numërimit të 100% të votave, rezultati zyrtar i zgjedhjeve të 25 janarit 2015, është si më poshtë:

SYRIZA 36,34% – 149 vende; Demokracia e Re 27,81% – 76 vende; Agimi i Artë 6,28% – 17 vende; Lumi 6,05% – 17 vende; Partia Komuniste 5,47% – 15 vende; Grekët e Pavarur 4,75 – 13 vende dhe PASOK-u 4,68 – 13 vende.

 Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 63,87%, ndërsa votat e pavlefshme 2,36%.

Cipras merr mandatin për formimin e qeverisë

Presidenti i Republikës, Karolos Papulias, mandatoi pasdite Aleksis Cipras për të formuar qeverinë.

Zoti Cipras, pasi mori përgëzimet e presidentit, i tha: “Ju informoj se pas rezultateve të zgjedhjeve të djeshme  u takova me zotin Kamenos, i cili deklaroi se mbështet qeverinë e re. Rrjedhimisht ekziston maxhoranca e nevojshme që kërkon kushtetuta dhe shpresoj se shumica ekzistuese prej 162 deputetësh mund të bëhet më e madhe”.

Presidenti u përgjigj: “Nuk kam për të bërë tjetër, veçse t’ju ngarkoj mandatin për krijimin e qeverisë, pasi më parë të kryeni betimin”. Më herët, Cipras kishte një takim me kryepeshkopin Ieronimos, pasi nuk do të bënte betimin fetar në Presidencë, por vetëm betimin politik.

Të dy u pajtuan se duhet të përshpejtohen procedurat, siç thas zoti Cipras, sepse ka shumë për të bërë.

Më pas u kalua më procesin e betimit dhe pastaj kryeministri i ri u drejtua për të bërë homazhe në memorialin e Kesarianisë, kushtuar qindra të vrarëve nga pushtuesi nazist gjatë luftës së dytë Botërore.

DEKLARATAT E LIDERVE KRYESOR

Cipras: Populli dha një mandat të pastër

Populli dha një mandat të pastër, deklaroi kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Cipras, në fjalimin e parë pas zgjedhjeve, duke theksuar se verdikti i popullit anulon sot memorandumet e shtrëngesës dhe të katastrofës, si dhe e bën trojkën që t’i përkasë të kaluarës, në kuadrin tonë të përbashkët europian.

Në të njëjtën kohë, Cipras garantoi se qeveria e re greke do të jetë e gatshme të negociojë, për herë të parë, një zgjidhje të drejtë, reciproke dhe jetësuese për të dalë Greqia nga rrethi vicioz i detyrimeve. Në këtë diskutim, shtoi Cipras, Greqia do të shkojë me propozimet e veta të argumentuara, me planin e vet kombëtar të reformave dhe me planin e saj 4 vjeçar të politikës fiskale.

Sipas zotit Cipras, prioriteti i qeverisë së re do të jetë përballimi i plagëve të mëdha të krizës, rehabilitimi i sovranitetit, dhënia e drejtësisë, përplasje me regjimin e korrupsionit dhe promovimi i reformave në shtet dhe në sektorin publik.

Samaras: “Po dorëzoj një vend pa deficite, e kam ndërgjegjen të qetë”

“Populli grek foli dhe të gjithë respektojmë vendimin e tij”, deklaroi kryeministri në largim, Antonis Samaras në deklarata në pallatin Zappeion. “E kam ndërgjegjjen time të qetë, mora një vend në buzë të katastrofës. Rezistuam, mënjanuam më të këqijat, e nxorrëm vendin nga recesioni dhe deficitet, hodhëm themelet për zhvillimin dhe për daljen nga kriza. Krijuam një traditë të re konsensusesh dhe qeverish ndërpartiake. U detyruam të marrim masa të dhimbshme dhe u bënë edhe gabime, por mën januam më të këqijat”, theksoi Samaras.

Dhe shtoi: “Po dorëzoj një vend pa deficite, me siguri për qwytetarin, një vend që po del në mënyrë të rregullt nga kriza. Po dorëzoj një vend që është anëtar i BE-së dhe i euros. Për të mirën e vendit, uroj që qeveria e ardhshme t’i ruajë këto arritje. E kem ndërgjegjen të qetë, sepse deri në fund i thashë të vërtetën popullit. Uroj të mos vërtetohen parashikimet e mia”.

Duke iu referuar rezultatit zgjedhor tha se “nuk është i kënaqshëm, por Demokracia e Re rezistoi dhe është në këmbë, me gjithë masat e vështira që u detyruam të marrim. Duket se Demokracia e Re humbi vetëm dy njësi në raport me zgjedhjet e 2012-s dhe qëndron e gatshme të luajë rolin si garant i stabilitetit eurooian, i sigurisë dhe i reformave. Roli i saj do të jetë kritik. Garantoj se paertia do ta luajë këtë rol me integritet”.

Theodorakis: Lumi, forca e tretë demokratike, kjo është fitore e shoqërisë

 “Sot Lumi është forca e tretë demokratike në vend. Është fitore e shoqërisë. Pa para, pa tutorë, pa kontrata me interesa arritëm të pamundurën: të jemi në Parlament me 16 deputetë”, deklaroi Stavros Theodorakis, duke komentuar reuzultatin e arritur nga partia e vet.

“Nuk është koha për të festuar”, shtoi Theodorakis dhe duke uruar Aleksis Tsipras theksoi se Lumi pret që ai (Tsipas) t’u përgjigjet përgjegjësive të veta. “Europa nuk do të ndryshojë pse një pareti do të ketë – nëse do të ketë-, 151 deputetë. Nevojten maxhoranca të mëdha dhe një plan patriotik aksioni”, tha Theodorakis.

Si “shenjë të keqe” në këto zgjedhje Theodorakis cilësoi pjesëmarrjen më të ulët në krahasim me 2012-n dhe disomos prezencën e forcuar të Agimit të Artë, duke nënvizuar se do të duhet që të kërkojmë rrënjët e vërteta që gjysmë milioni grekë vendosin të votojnë për atë parti.

Kutsumbas: “SYRIZA do të ecë në të njëjtat shina”

 “Rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve shpreh – dhe përmes votës- pakënaqësinë e madhe dhe zemërimin e popullit tonë për Demokracinë e Re dhe PASOK-un që e zhytën në varfëri, në papunësi gjithë këto vite të krizës ekonomike. Vota shpreh në masë të madhe edhe shpresën mashtruese se qeveria e re e SYRIZA-s mund të ndjekë një politikë pro popullore”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i partisë Komuniste (KKE) Dimitris Kutsumbas.

“KKE vlerësonte dhe vlerëson se përbërja e parlamentit të ri dhe krijimi i qeverisë së SYRIZA-s mbi bazën e deklaratave zyrtare do të lëvizë në të njëjtat shina të rrugës njëkalimshe europiane, të detyrimeve dhe kompromiseve, të angazhimeve ndaj kapitalit të madh, monopoleve, Bashkimit Europian, NATO-s”, theksoi Kutsumbas, duke shtuar se “prapë shtresat popullore do të jenë ato që do të paguajnë”.

Kamenos: Realitet i ri social dhe politik

   Rezultati i zgjedhjeve krijon një realitet të ri social dhe politik. Ne, Grekët e Pavarur do të ndihmojmë që ky realitet i ri të stabilizohet për të mirën e atdheut, të kombit dhe të popullit grek, deklaroi kryetari i Grekëve të Pavarur (ANEL), Panos Kamenos.

Kryetari i ANEL, ia dedikoi fitoren kompanive të sondazheve, të cilat i ironizoi duke thënë se “deri më sot na goditnin pa mëshirë”, siç tha. Kamenos thgeksoi se tani erdhi koha që atdheu të drejtohet në rrugën e arritjeve, të dinjitetit dhe të progresit, “që të mundim të rindërtojmë gjithë sa na shkatërruan memorandumet dhe të iki Greqia nga zgjedha e nënshtrimit. Sot, është ora e përgjegjësisë për të gjithë grekët, pavarësisht bindjeve ideologjike dhe politike”.

Venizelos akuzon Papandreun për rezultatin

Kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos ka përgëzuar SYRIZA-n dhe personalisht Aleksis Cipras për fitoren në zgjedhje, ndërsa ka uruar që të ketë sukses për të mirën e vendit, duke nënvizuar se nevojitet konsensus shoqëror dhe politik dhe jo një maxhorancë artificiale votash.

Venizelos e cilësoi numrin e votave që mori PASOK-iu si të vogël e të pamjaftueshëm në raport me përpjekjen kombëtare që bëri dhe të vërtetat që tha gjatë fushatës elektorale, ndërsa akuzoi Jorgos Papandreun se e sabotoi partinë duke e përçarë dhe ia dedikoi atij humbjen e objektivit të PASOK-ut për vendin e tretë. Gjithashtu, e akuzoi Papandreun për faktin “dramatik” në pikëpamje institucionale dhe demokratike, se Agimi i Artë rreshtohet si partia e tretë.

Venizelos theksoi se merr përsipër plotësisht përgjegjësinë që i takon dhe paralajmëroi se PASOK do të avancojë pa vonesa në zhvillimin e një kongresi për rinovimin total, duke përfshirë edhe çështjen e lidershipit.

SHKARKO APP