Ali Ahmeti: Nuk trembemi, le të publikohet gjithçka
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se qëndrimi i tij është shumë i qartë dhe se të publikohet gjithçka sa i përket bisedave të përgjuara, që po publikohen nga ana e opozitës maqedonase.
Ahmeti këto komente i bëri sonte në Shkup me rastin e Akademisë përkujtimore për brigadën 115 të UÇK-së që u mbajt në Shtëpinë e Armatës së Maqedonisë.
“Ne mirëpresim çdo publikim, ne nuk trembemi. Asgjë të mos mbetet enigmatike. Të mos mbesin kureshtar. U siguroi juve dhe gjithë ata që presin me kureshtje, ju garantoj që ne nuk jemi ne pushtet për pasurime personale. E kam thënë që në BDI nuk janë të gjithë engjëj, nëse eventualisht ka që kanë keqpërdorur institucionet, mban përgjegjësi. Unë e kam thënë që nuk do padisim asnjërën palë për publikimet”, deklaroi Ahmeti.
Ai në mënyrë indirekte komentoi edhe lëvizjet dhe taktizimet politike të oponetit të tij politik, Menduh Thaçit të PDSH-së, duke theksuar se ai dhe partia e tij nuk vepron me standarde të dyfishta.
“Ne nuk koketojmë me asnjërën palë dhe nuk punojmë me standarde të dyfishta. Atë qe e themi publikisht edhe e punojmë në jetën publike”, theksoi Ahmeti.
Në këtë akademi kanë qenë të pranishëm edhe nënkryetari i Parlamentit, Rafis Aliti, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deputetët Hazbi Lika, Zulfi Adili dhe pjesëmarrës të tjerë, ish-luftëtarë dhe ish-eporë të UÇK-së si Emrush Suma dhe Mehmet Ballazhi. Por vlen të theksohet mungesa e kryetarit të komunës së Sarajit Bekim Murati, zona ku u zhvilluan luftimet dhe prania e Brigadës së 115.