Ambasada greke: KE reagon pozitivisht ndaj deklaratave të Tsipras
Pozitiv ishte reagimi i parë i Komisionit Europian ndaj deklaratave që kryeministri Aleksis Tsipras bëri për agjencinë Bloomberg, sipas zëdhënësit të KE, Margaritis Schinas. Zëdhënësi i Komisionit konfirmoi takimin e presidentit Jean-Claude Juncker me kryeministrin grek, që do të zhvillohet paraditen e të mërkurës 4 shkurt, njofton sot Ambasada Greke në Tiranë.
Zoti Schinias bëri të ditur se ne Paris ka patur një takim informal të komisionerit për financat, Pierre Moscovici me ministrin grek të financave, Janis Varufakis. Në takim, të dy burrat kishin rastin të bëjnë një shkëmbim “konstruktiv” të parë pikëpamjesh, sipas zëdhënësit.
Siç shpjegoi Margaritis Schinas, Komisioni shënoi me intreesim të veçantë deklaratën e kryeministrit grek për agjencinë Bloomberg se “së shpejti do të arrijmë të kemi një marrëveshje me dobi reciproke” dhe se “asnjë palë nuk synon konfrontimin dhe nuk ishte asnjëherë në synimet tona të veprojmë në mënyrë të njëanshme në çështjen e borxhit grek”. Zëdhënësi i KE vuri në dukje se zoti Juncker do të diskutojë me kryeministrin grek mbi bazën e deklaratës së mësipërme dhe se është i gatshëm të dëgjojë planet konkrete të qeverisë greke.
I pyetur mbi mundësinë e një modifikimi të trajtës së trojkës apo suprimimit të saj, z. Schinas përmendi një deklaratë të presidentit Juncker në Parlamentin Europian, se ekziston nevoja për një legjitimitet të shtuar demokratik të trojkës, llogaridhënie dhe kontroll i mënyrës së funksionimit të saj në të ardhmen. Në çdo rast, tha Schinas, Komisioni pret zbardhjen e pozicioneve të palës greke dhe nuk don të bëjë parashikime paraprake se çfarë do të bëhet.
“Çdo marrëveshje presupozon mendimin unanim të 19 shteteve anëtare të Eurozonës”, përfundoi zëdhënësi i KE.
KOHA JONË SONDAZH

