Ambasadori i Kroacisë ligjëratë në Universitetin e Mitrovicës

Ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, vizitoi të premten Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ku mbajti një ligjëratë me temë “Kosova drejt BE-së dhe NATO-s – përvoja kroate”.

Sipas KosovaPress, ambasadori është pritur në takim nga rektori i UMIB, Alush Musaj, me të cilin ka biseduar për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta me universitetet kroate. Rektori Musaj falënderoi ambasadorin Vodopija për mbështetjen që ka dhënë për marrëveshjen për bashkëpunim që UMIB ka nënshkruar me Universitetin e Splitit. “Dëshirojmë t’ju falënderojmë juve dhe drejtuesit e Universitetit të Splitit për gatishmërinë sa i përket realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën akademike”, ka thënë Musaj. Në anën tjetër, ambasadori Vodopija është shprehur i lumtur për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet UMIB-it dhe Universitetit të Splitit. “Është një shembull i mirë që bashkëpunimi në fushën akademike mund të jetë shumë i frytshëm për universitetet e rajonit”, tha ai.

Ai foli edhe për mundësitë që ofron Kroacia për studentët nga Kosova. “Deri tani Kroacia ka ofruar për çdo vit nga dy bursa për studentët nga Kosova, por jemi duke shqyrtuar mundësinë që të rrisim numrin e bursave”, tha ambasadori Vodopija. Sipas tij, ekziston një traditë shumë e mirë sa i përket studimeve pasuniversitare që kanë realizuar studentët kosovarë në Kroaci. “Vitet e fundit ka pasur interesim më të vogël të studentëve nga Kosova për shkak se gjeneratat e reja nuk e zotërojnë gjuhën kroate, prandaj po e shqyrtojmë si mundësi edhe hapjen e një katedre të gjuhës kroate në Kosovë”, theksoi Vodopija.

SHKARKO APP