Amerikanët kanë gati vaksinën kundër koronavirusit
Një kompani amerikane e prodhimit të ilaçeve ka gati vaksinën e parë për koronavirusin. ‘Moderna’ është e para firmë që ka bërë aplikimin për të testuar produktin e saj në Institutin Kombëtar Amerikan për Sëmundjet Infektive dhe Alergjitë. Do të jetë ky institut, që në fund të Prillit, do të nisë provat e vaksinës tek njerëzit.
Janë të paktën 25 persona të paprekur nga koronavirusi, të cilët kanë dalë vullnetarë për të kryer provat.
Ekspertët thonë se rezultatet e para pritet të dalin në Gusht. Nëse rezulton efektive do të duhen deri 18 muaj që nga nisja e provave që vaksina të hidhet në treg.
Për vaksinën është përdorur proteina S për prodhimin e vaksinave për viruse të ngjashëm me koronavirusin si Mersi e Sarsi.
Shkencëtarët e kanë ripërpunuar proteinën S për të nxitur sistemin imunitar të njeriut të angazhohet në një masë aq të madhe sa të mund të ndalojë prekjen nga një virus shumë i fortë si koronavirusi.
Në garë janë edhe kompani të tjera amerikane ilaçesh. Ndërsa shkencëtarët australianë, ashtu si edhe ata kinezë, janë në fazën e testimit të ilaçeve kundër koronavirusit, tek kafshët.