
Shtetet e Bashkuara i kanë lënë të kuptohet Ukrainës mundësinë e anëtarësimit në NATO në këmbim të heqjes dorë nga territoret në Donbas, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Kjo çështje u ngrit nga negociatorët amerikanë gjatë raundit më të fundit të bisedimeve të paqes me Rusinë në Abu Dabi, deklaroi Zelensky para gazetarëve.
Sipas tij, ishte hera e parë që shtrohej një pyetje e tillë: “Po sikur Ukraina të anëtarësohej në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?”. Presidenti ukrainas shtoi se, në rrethana të caktuara, do të ishte i gatshëm ta paraqiste këtë çështje për votim në një referendum.
Kështu qytetarët ukrainas do të kishin mundësinë të vendosnin për një kompromis të tillë. Zelensky ritheksoi se Kievi nuk është i gatshëm të heqë dorë nga territoret e tij. Por, theksoi ai, nëse Ukraina do të merrte një paketë gjithëpërfshirëse sigurie, që do të përfshinte garanci sigurie, një ushtri të financuar mirë dhe ndihmë për rindërtimin, do ta vinte çështjen në votim përmes një referendumi.
“Nuk kam të drejtë ta marr këtë vendim i vetëm”, tha Zelensky. Sipas presidentit ukrainas, Ukraina nuk gëzon garanci afatgjata sigurie, pasi vendi ende nuk është anëtar i NATO-s. Në përpjekjet që po zhvillohen aktualisht për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, garancitë e sigurisë pas një armëpushimi mbeten një nga kërkesat kryesore të Kievit.
Rusia vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj maksimale në luftën kundër Ukrainës. Njëra prej tyre është që Ukraina të heqë dorë nga territoret në jug dhe lindje të vendit, të cilat Rusia i ka aneksuar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Rusia ka pushtuar Krimenë dhe një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit.
Gjithashtu pretendon edhe territore të tjera ukrainase që aktualisht nuk janë nën kontrollin e saj. Ndër kërkesat ruse është edhe një status “neutral” për Ukrainën, të cilin Kievi vazhdon ta refuzojë. “Nëse (presidenti rus Vladimir) Putin mendon se neutraliteti i Ukrainës do të përfshihet në mënyrë të përhershme, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Zelensky, sipas agjencisë së lajmeve Interfax-Ukraina.
Synimi për anëtarësim në NATO është i sanksionuar në Kushtetutën e Ukrainës dhe Zelensky hodhi poshtë mundësinë e një ndryshimi kushtetues në këtë drejtim.
