Aplikacioni kundër Covid-19 quhet ”Imunët”
Italia do të nisë zyrtarisht përdorimin e një teknologjie të re për të luftuar pandeminë e Covid-19. Qeveria firmosi një kontratë me kompaninë Bending Spoons, e cila në bashkëpunim me qendrën mjekësore Sant’ Agostino, zhvilloi aplikacionin e quajtur ”Imunët” që do të gjurmojë të infektuarit me Covid-19.
Kjo teknologji e re do të kalojë tashmë në duart e ”Task-Forcës” dhe do të jetë një mjet kyç në fazën pasardhëse të emergjencës shëndetësore. Fillimisht do të eksperimentohet në disa rajone, më pas në varësi të rezultatit do të zgjerohet në të gjithë vendin.
Domenico Arcuri, komisioneri për emergjencat në Itali, shpjegoi dhe sistemin e gjurmimit të të infektuarve ndërsa theksoi rëndësinë e krijimit të një banke të dhënash për pandeminë. Aplikacioni do të operojë duke përdorur teknologjinë Bluetooth dhe me anë të saj do të mundësojë komunikimin mes pajisjeve të ndryshme në një kohë shumë të shpejtë.
Një shembull konkret, nëse dy smartfonë janë në një distancë të tillë që lejon ndërveprimin me Bluetooth, do të thotë se dy përdoruesit e tyre janë shumë afër dhe rrezikojnë të infektohen nga virusi. Aplikacioni “Imunët” respekton plotësisht të drejtën e privatësisë pasi nuk gjurmon vendndodhjen e përdoruesve në kohë reale.