Aplikacioni në Britani ka regjistruar qytetarë simptomatikë me COVID-19 që në muajin janar
Një aplikacion i krijuar nga kolegj King në Londër tregon se koronavirusi është shfaqur në Britani që prej muajit janar, shumë kohë përpara se të raportohej rasti i parë në vend.
Nëpërmjet këtij aplikacioni, qytetarët raportojnë simptomat e ngjashme me COVID-19. Nga 2.6 milion persona të regjistruar deri më tani, një pjesë shumë e madhe e tyre kanë raportuar simptoma të ngjashme që pas vitit të ri.
Profesori i epidemiologjisë Tim Spector shprehet se ka pasur edhe disa të tjerë që kanë raportuar edhe për muajin dhjetor.
Daily Mail shkruan se këto raste nuk janë testuar, ndaj edhe besueshmëria mbetet sërish e ulët. Por nga shifrat e publikuara rezulton se koronavirusi mund të ketë qarkulluar përpara se të shënohej rasti i parë më 31 janar, ku dy turista kinezë në qytetin e York rezultuan pozitivë.
Gjithashtu sipas po këtij aplikacioni, koronavirusi ka arritur pikun në 1 prill me 2.1 milion raste por është ulur ndjeshëm që pas izolimit ku janë raportuar 354,690 raste.