“Ari i zi” në pikiatë, nafta amerikane u ble me -37 dollarë fuçia të hënën
Çmimet e naftës vazhdojnë të prekin rekordet më të ulëta prej disa dekadash, pas kolapsit të një ditë më parë. Vazhdojnë luhatjet në vlerën poshtë zeros për naftën amerikane por rënie të fortë po pëson edhe ajo europiane. Rusia thotë se situata nuk është akoma apokaliptike për prodhuesit e vet.
Rënia e çmimeve të naftës në bursa nuk ka të ndalur pas pikiatës historike një ditë më parë.
Vlera e naftës bruto e standardit amerikan për muajin maj qëndroi të martën në territor negativ afër zeros, edhe pse me përmirësim nga orët më herët kur preku shifrën -37,6 dollarë fuçia.
Kontratat për arin e zi në SHBA për qershorin dhe korrikun gjithashtu ranë përkatësisht me 20 dhe 10 për qind, në vlerën 15 dhe 23 dollarë fuçia.
Ndërkohë, një fuçi e standardit europian të naftës, “Brent”, u vlerësua mbi 20 dollarë, çmimi më i ulët i dy dekadave të fundit.
Zhvillimet në tregjet e hidrokarbureve janë ndikuar nga ndalimqarkullimi i miliarda njerëzve të bllokuar në shtëpi si pasojë e masave kundër koronavirusit.
Për pasojë, tregtuesit amerikanë të naftës kanë akumuluar sasi të mëdha rezervë në depot e tyre, dhe për arsye logjistike, tani detyrohen t’i zbrazin hapësirat kundrejt pagesës për blerësit e bursave.
“Kjo është koha e duhur për të blerë naftë dhe ne synojmë t’i rritim kapacitetet depozituese. Problemi që po përballim është i natyrës financiare, nuk lidhet me hidrokarburet vetë, dhe besoj se brenda një muaji, kur të fillojnë daljet e para të njerëzve, çmimi ka për t’u rritur sërish,” u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.
Amerika po sheh mundësinë e ndalimit të importeve të naftës bruto nga prodhuesit partnerë pasi një dyndje e tregut vendës me këtë produkt rrezikon falimentimin e industrisë vendëse të naftës nëse çmimet do të qëndronin afër zeros.
Rusia, ndërkohë, e cila vetë siguron 40 për qind të të ardhurave nga tatimi i naftës dhe i gazit, thotë se situata nuk është aq apokaliptike sa duket.
“Nuk ka arsye për vlerësime negative të realitetit aktual. Kaosi me kontratat është absolutisht çështje spekulimi, çështje tregtie në bursa,” njoftoi Dmitri Peskov, zëdhënësi i Kremlinit.
Disbalancat e thella në bursa nisën muajin e kaluar kur Arabia Saudite dhe Rusia, duke analizuar situatën me pandeminë, tentuan të mbrojnë fitimet duke u përfshirë në një luftë çmimesh, kontradikta që u zgjidhën me paktin e vendeve eksportuese të naftës.
Analistët thonë se këto dy vende janë aktualisht në pozicionin më të mirë nga kriza e naftës në SHBA.