Arkëmortet në kishat italiane, Prifti: “Të ndjerët në arkivole lakuriq, pa u ngushëlluar”
Një kishë në komunën veriore të Seriatit në Itali kujdeset në këto ditë pandemie t’i përcjellë me fjalët e fundit me qindra viktimat e koronavirusit që mbushin prej javësh ambientet e saj.
Kur Atë Mario Carminati vendosi 40 vite më parë të bëhej prift, ai e dinte se detyra do ia kërkonte të përballej shpesh me vdekjen, por pandemia e koronavirusit ia ka shumëfishuar këtë përvojë.
Në komunën e Seriatit në Bergamo të Italisë, “Kisha e Shën-Jozefit” pret dita-ditës duzina arkivolesh, ritual ky i rrallë për rajonin verior në të kaluarën.
Atë Karminati dhe priftërinjtë e tjerë u japin uratën me nxitim të ndarëve nga jeta, ndërsa mjetet e rënda i ngarkojnë arkëmortet në kamionët ushtarakë drejt varrezave.
“Autoritetet nuk e dinë më ku t’i çojnë arkivolet, dhe më tragjikja është se këta të ndjerë janë futur brenda lakuriq, të vetmuar, janë njerëz që vdiqën pa i dëgjuar e pa i parë askush, pa mundur t’u flasin më të dashurve, pa marrë ngushëllimet e tyre,” tregon prifti italian.
Rreziku i përhapjes së pandemisë ka bërë që Italia të pezullojë përkohësisht funeralet.
Kishat presin viktimat e koronavirusit që ata të mos qëndrojnë në magazina para përcjelljes për në varr.
“Ne shpesh themi se duhen ndihmuar nevojtarët por këta janë vërtet njerëzit më në nevojë për momentin, edhe pse jo të gjallë. Askush nuk ka as kohën, as mundësinë të përkujdeset për ta, ndaj vendosa t’u hap Shtëpinë e Zotit,” shton Atë Karminati.
Rajoni verior i Lombardisë ku bën pjesë edhe komuna e Seriatit ka raportuar rreth 40 mijë të prekur nga pandemia e Covid-19, nga të cilët 6 mijë nuk i kanë mbijetuar dot.
Në fundjavë, “Kisha e Shën-Jozefit” në Bergamo strehoi arkivolet e 90 prej atyre banorëve.
“45 i morën të shtunën, të tjerët do të transferohen në krematorët e provincave të tjera që të mund të varrosen në mënyrën e duhur,” shprehet prifti italian.
Numri i viktimave në Itali shkoi në fundjavë në 10 mijë, ndërsa një total prej afro 90 mijë qytetarësh të tjerë po luftojnë me sëmundjen më vdekjeprurëse të dekadave të fundit.