Armë për bandat në Meksikë, nën hetim prodhuesi gjerman “H & K”
Gjashtë ish-punonjës të prodhuesit gjerman të armëve, Heckler & Koch, do të gjykohen në Shtutgart, pasi akuzohen se ilegalisht kanë dërguar armë në pjesë të ndryshme të Meksikës, të njohura për konfliktet vdekjeprurëse midis karteleve të drogës.
Aktakuza përqendrohet në 4,500 pushkë G36 dhe armë zjarri të vogla të dërguara në 16 grupe. Prokurorët thonë se armët shkuan në shtete të dhunshme meksikane, për të cilat Gjermania ndalon kategorikisht eksportin e armëve të prodhuara në vend.
Avokatët e të pandehurve citohen të thonë se armët dolën ligjërisht nga një depo e policisë, e cila mbi të gjitha është e kontrolluar mirë.
Armët e “H & K”, të bëra në qytetin jugperëndimor të Oberndorf, përdoren në konflikte në mbarë botën. Përveç Meksikës, ato kanë shkuar në duart e trupave dhe milicive në Pakistan, Mianmar (Burma), Arabinë Saudite, Iran dhe Turqi.
Rasti i Shtutgartit u shkaktua nga prova kundër “H & K”, të paraqitura nga aktivisti i paqes Jürgen Grässlin tetë vjet më parë, raportojnë mediat gjermane.
Prokurorët thonë se eksportet në Meksikë në vitet 2006-2009 shkelën Aktin e Kontrollit të Armëve të Luftës në Gjermani dhe Aktin e Tregtisë së Jashtme.
Dy ish-menaxherë të lartë të kompanisë janë në mesin e atyre që janë në bankën e të akuzuarve. Një nga gjashtë të akuzuarit, një ish-agjent marketingu, nuk ishte në gjykatë të martën, pasi ai ndodhet në Meksikë dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.
Transmetuesit gjermanë SWR dhe BR provuan se armët G36 u përdorën në një sulm të njohur të milicisë për studentët meksikan në Iguala në vitin 2014, në të cilën vdiqën gjashtë studentë dhe 43 u rrëmbyen dhe rezultojnë ende të zhdukur pa gjurmë. Ndërkohë Meksika është një shtet i rrënuar nga lufta e armatosur mes bandave.
KOHA JONË SONDAZH

