Armët e dërguara në Ukrainë, Interpol: Do të përfundojnë në duart e kriminelëve
Kreu i Interpol, Jürgen Stock thotë se armatimet e dërguara në Ukrainë që prej nisjes së sulmit rus në shkurt do të përfundojnë në ekonominë e errët globale si dhe në duart e kriminelëve.
Stock thekson se kur konflikti të përfundojë, këto mjete do të mbushin tregun global të armëve të rënda dhe nxiti vendet anëtare të Interpol që të punojnë e të bashkëpunojnë në gjurmimin e tyre.
“Kur të heshtin armët në Ukrainë, do të nisin të dëgjohen armët ilegale. Ne e dimë këtë nga shumë teatro të tjera konfliktesh. Kriminelët edhe tani kanë nisur të flasin për to, si një objekt i mundshëm përfitimesh.
Grupe kriminale përpiqen të shfrytëzojnë këto situata kaotike dhe gjindshmërinë e armëve, edhe ato të përdorura nga ushtria. Kjo sepse ato do të jenë objekt pazaresh në tregjet e errëta, duke krijuar të tjera sfida. Asnjë vend ose rajon nuk mund të zgjidhë këtë çështje në mënyrë të izoluar, pasi ata veprojnë në nivel global”.