Arratisje masive në Meksikë: 23 të burgosur ikin nga burgu mes trazirave të kartelit
Policia në Meksikë po kërkon një grup prej 23 të burgosurish që u arratisën nga një burg në Puerto Vallarta gjatë një vale sulmesh të nisura nga karteli i drogës “Jalisco New Generation” (CJNG) të dielën. Kjo arratisje masive ndodhi në mes të trazirave të dhunshme që përfshinë qytetin turistik bregdetar, si hakmarrje për vrasjen e liderit të kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, nga forcat e sigurisë. Puerto Vallarta, një qendër e njohur në bregun paqësor të Meksikës, ishte ndër zonat ku CJNG bllokoi rrugët dhe dogji makina, duke shkaktuar kaos dhe frikë.
Gjatë kësaj vale dhune, burra të armatosur përplasën me makinë një nga portat e burgut, duke hapur rrugën për arratisjen e 23 të burgosurve, siç konfirmoi një zyrtar. Dhuna që pasoi vdekjen e El Menchos rezultoi në vrasjen e më shumë se 70 personave, përfshirë 25 anëtarë të Gardës Kombëtare. Juan Pablo Hernández, sekretar i sigurisë për shtetin e Jalisco, deklaroi se zyra e tij po bashkëpunonte me shtete të tjera për kapjen e të arratisurve, ndërsa zyrtarët nuk kanë bërë ende publike detaje mbi identitetin e të burgosurve të arratisur.
Anëtarët e kartelit dogjën disa automjete në të gjithë Puerto Vallarta të dielën, duke krijuar një atmosferë terrori. Turistëve dhe banorëve vendas iu kërkua të gjenin strehë dhe të mos dilnin jashtë, ndërsa pamjet e regjistruara prej tyre tregonin shtëllunga të zeza tymi që ngriheshin mbi qendrën e njohur turistike bregdetare. Si pasojë e situatës së rëndë, një numër linjash ajrore pezulluan përkohësisht fluturimet e tyre dhe të paktën dy linja të mëdha kroçierash njoftuan se anijet e tyre do të anashkalonin ndalesat e planifikuara në Puerto Vallarta.
Qeveria meksikane tha të hënën se shumica e bllokimeve rrugore të ngritura nga anëtarët e kartelit ishin hequr. Megjithatë, gazeta “El Universal” raportoi se në shtetin e Morelia, ku lindi bosi i drogës El Mencho, burra të armatosur vazhduan të përhapnin frikë të hënën, duke djegur makina dhe vandalizuar dyqane e ndërtesa publike, duke treguar se trazirat nuk ishin shuar plotësisht.
El Mencho ishte njeriu më i kërkuar i Meksikës. Nën udhëheqjen e tij, CJNG u bë një organizatë e fuqishme kriminale transnacionale, e cila u përhap nga bastioni i saj në shtetin e Jalisco në shumë shtete të tjera meksikane, ku merrej me prodhimin dhe trafikimin e drogës. Karteli shpesh përdorte dhunë ekstreme dhe kishte qenë pas një sërë sulmesh të profilit të lartë ndaj forcave të sigurisë dhe zyrtarëve qeveritarë. Administrata Trump e kishte përshkruar El Menchon si një “objektiv kryesor” për trafikimin e fentanilit dhe kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacionin që do të çonte në kapjen e tij.
Bosi i drogës u kap nga forcat meksikane të sigurisë në qytetin Tapalpa, në shtetin Jalisco, të dielën. Ministri meksikan i mbrojtjes tha se ata arritën ta lokalizonin atë duke ndjekur një nga “partneret e tij romantike”. Ai vdiq pak pas kapjes për shkak të plagëve të marra në shkëmbimin e zjarrit që shpërtheu midis rojeve të tij të sigurisë dhe forcave speciale të Meksikës të dërguara për ta arrestuar.
Marrë nga BBC News
KOHA JONË SONDAZH

