Athinë: Nxënëse plagos me thikë vajzën 14-vjeçare brenda shkollës
Një incident i rëndë është shënuar këtë të hënë brenda një shkolle në zonën e Kypselit, në Athinë, ku një nxënëse ka plagosur me thikë një vajzë 14-vjeçare.
Sipas mediave greke, për arsye ende të paqarta, e mitura u godit në dorë dhe mbeti e plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, ajo u dërgua në zyrën e drejtorit në gjendje shoku, siç kanë dëshmuar bashkëmoshatarët e saj.
Në shkollë mbërriti një ambulancë, e cila e transportoi të miturën drejt spitalit pediatrik “Aglaia Kyriakou”. Burime zyrtare bëjnë me dije se ajo po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndërhyri edhe policia greke (ELAS), e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. Autorja e dyshuar është shoqëruar dhe po merret në pyetje në Nëndrejtorinë e Sigurisë së Athinës.
Ndërkohë, pritet që edhe mësuesit dhe stafi i shkollës që ndodheshin në ambientet e institucionit në momentin e ngjarjes të japin dëshmitë e tyre për autoritetet.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet dhe dinamikën e plotë të këtij incidenti, i cili ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin shkollor dhe opinionin publik në Greqi.
KOHA JONË SONDAZH

