Australia pranon se Assad është pjesë e zgjidhjes së çështjes siriane
Ministrja e Jashtme australiane deklaroi sot se presidenti sirian, Bashar al-Assad duhej të ishte pjesë e zgjidhjes së luftës civile në Siri.
Në një intervistë me gazetën ”The Weekend Australian”, Julie Bishop tha se ekziston një konsensus tashmë që regjimi i Assadit duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të zgjidhjes së çështjes siriane për të parandaluar që vendi të bjerë nën kontrollin e plotë të ISIS-it.
“Është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje politike dhe ushtarake në Siri”, theksoi ajo.
“Ka një pikëpamje të përgjithshme se në Siri duhet të formohet një qeveri e unitetit kombëtar, ku të përfshihet edhe presidenti Assad”, shtoi ajo.
Deklarata e Bishopit bie në kundërshtim me atë të qeverisë së mëparshme australiane të kryeministrit Tony Abbott, sipas të cilit Assad duhej të qëndronte jashtë zgjidhje së konfliktit sirian.
Ndërkohë, edhe presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë shprehur të njëjtën pikëpamje lidhur me presidentin sirian, Assad.