Babai i terroristit të Banjskës, tregon sa para merrte i biri nga mbrojtja civile

Veljo Iliç, babai i njërit prej terroristëve të akuzuar në rastin e Banjskës, Vladan Iliç, gjatë dhënies së dëshmisë në lidhje me sulmin e ndodhur një vit më parë ka deklaruar se i biri nuk i kishte treguar se çfarë po përgatisnin.

Ai është shprehur se më 24 shtator, në ditën kur ka ndodhur sulmi, i biri e kishte telefonuar duke i kërkuar që të shkonte ta merrte në Banjskë por nuk kishte mundur për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e policisë. “Vladani më lajmëroi më vonë se ndodhet në Serbi, me tha se kishte ecur në këmbë përmes malit rreth 4 orë e gjysmë gjatë kalimit të kufirit dhe kanë dalë në Serbi”, u shpreh ai.

Ai tha se të birin e kishte takuar më pas në Rashkë dhe më vonë edhe në Kragujevc të Serbisë. Sipas tij, ai kishte ndihmuar dy të plagosur rëndë që ishin dërguar për mjekim në spitalin e Beogradit por që njëri prej tyre më pas kishte vdekur. Iliç ishte pyetur nëse i biri e kishte informuar rreth ushtrimeve ushtarake që janë zhvilluar në Serbi, por ai ka mohuar duke shtuar se vetëm mendonte se mund të ndodhte diçka bazuar në prezencën e madhe ushtarake serbe në Rashkë.

A2 transmeton se i ati i të akuzuarit Vladan Iliç tha se ishte në dijeni që i biri ishte bërë pjesë e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe paguhej nga Milan Radoiçiç. “Vladan nuk ka qenë i detyruar nga dikush që të marrë pjesë në sulmin e ndodhur në Banjskë dhe për më tepër nuk ka biseduar me mua lidhur me këtë çështje por e di që ka qenë pjesë e organizatës ‘Mbrojtja Civile’ prej të cilës është paguar dikur rreth 400 euro të cilat i ka marrë përmes bankës”, tha Veljo Iliç.

Megjithatë, në një tjetër dëshmi të një dëshmitari të mbrojtur të Prokurorisë Speciale thuhet se anëtarët e grupit terrorist janë paguar në shuma më të mëdha. “Milan Radoiçiç i ka organizuar këta persona dhe personat e tjerë në Serbi të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë, të cilët një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre Milani i ka paguar nga 2.000 € në muaj përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup, ata fillimisht i kanë thënë se kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova, po ashtu me qëllim që serbët e kësaj pjese të shkëputën nga Kosova”. /Marrë nga A2cnn.al/

SHKARKO APP