Banka Botërore: Mëkëmbja e ekonomisë kineze është më e shpejtë se parashikimi, por mbeten rreziqe
Veprimtaria ekonomike në Kinë është normalizuar më shpejt se parashikohej pas goditjes nga pandemia, por kjo rimëkëmbje nuk është e ekuilibruar, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Nga rimëkëmbja në riekuilibrim” të publikuar të mërkurën.
Banka Botërore vlerëson se rritja reale e PBB-së të Kinës do të ngadalësohet në 2 për qind sivjet para përshpejtimit deri në 7.9 për qind vitin e ardhshëm, teksa shpenzimet e konsumit dhe investimet e biznesit vazhdojnë të shpejtohen, së bashku me shtimin e fitimeve të kompanive e të të ardhurave dhe përmirësimin e kushteve të tregut të punës.
Megjithatë, Banka Botërore vlerëson se pandemia ka acaruar çekuilibrat në ekonominë kineze, si borxhi relativisht i lartë publik e privat dhe përkeqësimi i fërkimeve me partnerët kryesorë tregtarë. Ndikimet e pandemisë do të vazhdojnë të dëmtojnë veprimtarinë ekonomike, pavarësisht nga përpjekjet për kontrollin e përhapjes së virusit, shton raporti.
“Në mjedisin global vazhdon pasiguria e lartë dhe kjo kërkon një kornizë politikash përshtatëse. Një tërheqje e parakohshme e politikave dhe shtrëngimi i tepruar mund ta nxjerrin rimëkëmbjen nga binarët,” tha Martin Raiser, drejtori i Bankës Botërore për Kinën.
“Heqja e përkrahjes financiare duhet të zbatohet gradualisht, por fokusi duhet të zhvendoset nga infrastruktura tradicionale te shtimi i shpenzimeve shoqërore dhe i investimeve të gjelbra,” theksoi Raiser.
Banka Botërore vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e madhe të reformave të Kinës drejt novacionit dhe rritjes në bazë të konsumit.
“Për riekuilibrimin e ekonomisë nga investimet në rritjen e mbështetur më shumë te novacioni dhe shërbimet, Kina do të ketë nevojë të shfrytëzojë potencialin e rritjes të zonave metropolitane dhe të grupeve të qyteteve më të zhvilluara dhe novative të saj ,” tha Sebastian Eckardt, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Kinën.
“Një ndryshim i tillë duhet të shoqërohet me politika financiare, për të siguruar ofrimin e më shumë shërbimeve të barabarta publike dhe shtimin e investimeve në kapitalin njerëzor për banorët që jetojnë jashtë zonave urbane dhe provincave bregdetare,” shtoi ai. (Wang Lei/ Artani)