Barkodi dixhital dikton lëvizjen e qytetarëve, ja se si Kina po lufton koronavirusin
Vetëm për një çast mendoni sikur jeta juaj do të varej tërësisht nga një aplikacion në telefonin tuaj. Të gjithë aktivitetet tuaja ditore, të dalësh nga shtëpia, të shkosh në kafene, librari në dyqane apo të marrësh transportin publik, të gjitha të diktoheshin nga ngjyra jeshile apo e kuqe që shfaqet në ekranin tuaj.
Ky është realiteti për qindra milionë banorë të Kinës prej disa muajsh tashmë me përhapjen e pandemisë së COVID-19. Një gjë e tillë pritet që të vijojë edhe për disa muaj të ardhshëm deri sa virusi të jetë zhdukur.
Qeveria kineze është mbëeshtetur në një sistem për të lokalizuar lëvizjet e çdo qytetari. Një ngjyrë në ekranin e telefonit të tyre dikton nëse një qytetar mund të lëvizë apo të kryejë një aktivitet të caktuar. Kjo përmes një barkodi.
Si funksionon?
Qeveria ka bashkëpunuar me gjigantët e teknologjisë, Alibaba dhe Tencent për të ndërtuar një aplikacion dhe me një sistem për të regjistruar gjendjen shëndetësore të të gjithë qytetarëve.
Për të marrë një barkod të tillë, qytetarët fillimisht duhet të shkarkojnë një prej aplikacioneve që është vendosur në dispozicion, Alipay nga kompania Alibaba ose Ëechat nga Tencen.
Më pas aty duhet të plotësojnë informacionet e kërkuara, emër, mbiemër, numrat e identifikimit, pasaportës dhe një numër telefoni. Gjithashtu ata duhet të deklarojnë udhëtimet e tyre të fundit brenda ose jashtë vendit si dhe nëse dyshojnë nëse mund të kenë pasur kontakt me një person të infektuar nga koronavirusit.
Qytetarët gjithashtu duhet që të plotësojnë disa kuti nëse kanë pasur simptoma të gripit apo jo. Rrjedhje hundësh, koll të thatë, temperaturë apo lodhje.
Pasi të gjithë i plotësojnë informacionet e kërkuara, qeveria vendos nëse ky qytetar duhet të kryejë testin për COVID-19, të vetëkarantinohet për 14 ditë apo nëse është i lirë që të lëvizë pa problem.
Lëvizja identifikohet sipas barkodit të gjeneruar dhe të identifikuar me ngjyra. Ngjyra jeshile tregon se je i paprekur dhe mund të lëvizësh pa problem. Ngjyra e verdhë tregon se qytetari duhet të vetëizolohet për 7 ditë ndërsa ngjyra e kuqe se duhet të vetëkarantinohesh për 14 ditë ose të shkosh në spitalet shtetërore.
Në çdo dyqan, qendër tregtare, stacione të transportit publik apo dhe kafene e restorante që janë të hapura, qëndron një person që bën verifikimin e këtij barkodi. Në rast se vë re një kundërvajtje ligjore, atëherë ai nuk i lejon qytetarët që të futen brenda dhe menjëherë njofton autoritetet.