BBC: Si u rikthye Donald Trumpi nga humnera politike?

Përderisa fitorja e tij s’është e garantuar, veç rikthimi në këtë fazë mund të konsiderohet i jashtëzakonshëm. E nëse rikthimi kulmon me triumf të madh, në Shtëpinë e Bardhë Trumpi do të vërtetojë se është i gatshëm të kapërcejë çdo pengesë.

Kur Donald Trumpi humbi ndaj Joe Bidenit më 2020, dukej sikur karriera e tij politike u shkatërrua.

Mandati i tij i parë në detyrë përfundoi në kaos dhe kritika – madje edhe nga anëtarët e partisë së tij. Nëse ai fiton zgjedhjet të martën, 5 nëntor, do të jetë hera e dytë që dikush kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi ka humbur paraprakisht më herët rizgjedhjet presidenciale.

“Ai rrëzohet dhe ngrihet dy herë më i përqendruar”, ka thënë Bryan Lanza, i cili ka qenë këshilltar politik i ish-presidentit që kur Trumpi nisi fushatën e tij në vitin 2016. “Unë nuk mendoj se dikush duhet të jetë i befasuar për këtë rikthim”.

Një ndryshim i tillë i jashtëzakonshëm i fatit për ish-presidentin gjithashtu do ta kthente atë në Shtëpinë e Bardhë si një njeri që politikisht duket i pandikueshëm, me një plan të detajuar të veprimit dhe një radhë besnikësh prapa tij.

Ekzili jetëshkurtër

Katër vjet më parë, Trumpi doli i mposhtur. Kundërshtari i tij demokrat, Biden, e kishte mundur në garën presidenciale të vitit 2020.

Gjykatat i kishin hedhur poshtë përpjekjet e tij për t’i kundërshtuar rezultatet e atëhershme. Tubimi i tij i fundit, në të cilin ai u kërkoi mbështetësve të tij të marshonin drejt Capitolit të SHBA-së ndërsa ligjvënësit po certifikonin rezultatet, kulmoi me turmën që nisi një sulm të dhunshëm duke bërë që ata që ishin brenda të kërkonin siguri. Qindra zyrtarë u lënduan.

Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, dhe ajo e Transportit, Elaine Chao, ishin në mesin e një numri zyrtarësh të administratës Trump që dhanë dorëheqje në shenjë proteste. Madje edhe senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një nga aleatët më të ngushë të Trumpit, u nda me presidentin.

“Krejt çka mund të them, është të mos më llogarisni”, pati thënë ai në Senat. “Mjaft është mjaft”.

Largimi nga Trumpi u shtri në botën e korporatave, pasi dhjetëra kompani të mëdha – duke përfshirë “American Express”, “Nike” dhe “Walgreens” – njoftuan ndaljen e  mbështetjes për republikanët të cilët kishin kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s.

Në ditën e inaugurimit të Bidenit, Trumpi theu traditën 152-vjeçare duke refuzuar të merrte pjesë në ceremoni, e në vend të kësaj u kthye në rezidencën e tij private në Mar-a-Lago herët atë mëngjes, i shoqëruar nga një pjesë e vogël e ndihmësve të tij më të afërt dhe familjes.

Ai ishte i ngrysur, sipas Meridith McGraw, autore e librit “Trumpi në Ekzil”, një rrëfim i kohës së ish-presidentit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

“Ai ishte i zemëruar, i frustruar, i pasigurt se si t’i kalonte ditët dhe pa një plan për të ardhmen e tij politike”, ka thënë ajo.

Mbulimi mediatik dhe diskutimet politike atë muaj, reflektuan pasigurinë për të ardhmen e tij. Pas një humbjeje të qartë elektorale ndjekur nga skenat kaotike në Capitol, disa ishin edhe më të sigurt se nuk kishte rrugë kthimi për Trumpin.

“Dhe kështu, karriera e guximshme, e zjarrtë dhe ndonjëherë brilante e Donald J. Trumpit merr fund”, thuhej në një artikull në “The Hill”.

Nëntitulli i një opinioni të janarit 2021 në “The New York Times” ishte: “Eksperimenti i tmerrshëm ka përfunduar”. Titulli ishte edhe më direkt: “Presidenti Donald J. Trump: Fund”.

Por, para se Trumpi të nisej për në Florida në ditën e inaugurimit, ai la të nënkuptohej se çfarë do të vinte më pas.

“Ju duam”, pati thënë ai për mbështetësit e tij në një pistë të bazës së Forcave Ajrore të Marylandit. “Ne do të rikthehemi në një formë”.

Një javë më vonë, u bë e qartë se Trumpi nuk do të duhej të priste gjatë për të shfaqur ndikimin e tij të vazhdueshëm politik. Partia iu kthye atij.

Kongresisti i Kalifornisë, Kevin McCarthy, lideri republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, e vizitoi ish-presidentin në Mar-a-Lago, duke shkrepur një foto pranë një Trumpi që po “rrezatonte”.

Menjëherë pas sulmit të 6 janarit, McCarthy pati thënë se Trumpi “bart përgjegjësi” për dhunën e turmës dhe rekomandoi që Kongresi ta ndëshkonte zyrtarisht për sjelljen e tij. Tani, ai po shprehte gatishmërinë që të punonte me ish-presidentin për të fituar një shumicë në Kongres në zgjedhjet e një viti më pas.

Edhe kur Senati i SHBA-së i kontrolluar nga demokratët po përgatitej të zhvillonte gjykimin ndaj Trumpit, vizita e McCarthyt tregonte se një nga republikanët më të fuqishëm në Kongres ende e shihte ish-presidentin si një person me ndikim.

“Vizita e McCarthyt vërtetë e hapi derën për Trumpin”, ka thënë McGraw.  “Ishte një leje për republikanët të cilët e kishin kritikuar Trumpin që ta falnin dhe të ecnin përpara”.

Gjyqi i Senatit ndaj Trumpit do të përfundonte me pafajësi, pasi shumica e republikanëve – përfshirë disa kritikë të hapur, si lideri i pakicës Mitch McConnell – votuan kundër një dënimi që mund të kishte çuar në ndalimin e ish-presidentit nga gara për post presidencial.

McConnell pati thënë se sjellja e Trumpit më 6 janar ishte “një shpërfillje e turpshme e detyrës”, megjithatë ai zgjodhi që të mos e bënte hapin që mund t’i kishte dhënë fund përfundimisht karrierës politike të ish-presidentit – ndoshta nga frika se do t’i jepte fund edhe karrierës së vet.

Republikanët u shqetësuan po ashtu se ish-presidenti mund të krijonte një parti të tretë që do ta largonte mbështetjen nga republikanët.

“Qartazi është në dorën e republikanëve nëse kjo është diçka që bëhet më serioze”, pati thënë Jason Miller, këshilltar i komunikimit i Trumpit për kohë të gjatë, për “Fox News”.

Ish-presidenti kaloi një muaj kryesisht brenda Mar-a-Lagos, duke dalë vetëm për ndonjë raund golfi ose darkë private.

Në fund të shkurtit, teksa zhurma rreth 6 janarit u zbeh, ai ishte gati ta mbante eventin e tij të parë publik.

Në Konferencën e Veprimit Politik Konservator – konferenca zakonisht mbahet afër Washingtonit, por ajo u zhvendos në Orlando, Florida, për shkak të kufizimeve për COVID – Trumpi tregoi se ai ende komandonte besnikërinë e bazës republikane.

“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se udhëtimi i mrekullueshëm që e kemi nisur bashkë është larg përfundimit”, pati thënë ai.
Ai la të nënkuptohej se mund t’i mundte demokratët “për herë të tretë” më 2024.

Një sondazh i pjesëmarrësve të konferencës vetëm sa përshfaqi atë që deri atëherë ishte e qartë. 68 për qind e të anketuarve thanë se Trumpi duhet të kandidojë përsëri.

“Trumpi dhe ekipi i tij ishin mjaft nervozë për atë fjalim”, ka thënë McGraw. “Psikologjikisht ishte një moment shumë i rëndësishëm për Trumpin dhe aleatët e tij kur ai pati një pritje aq pozitive”.
Pas një pauze të shkurtër, Trumpi riaktivizoi mbledhjen e fondeve te mbështetësit e tij dhe rifilloi mbajtjen e mitingjeve.

“A ju mungoj?” pyeti Trumpi në një tubim në Ohio. Turma u përgjigj me brohoritje.

“Atyre ju mungoj”, dha konkluzionin ai.

Uljet dhe ngritjet 

Nëse viti 2021 la të kuptohej për ndikimin e vazhdueshëm të Trumpit brenda Partisë Republikane, zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të vitit 2022 e konfirmuan.

Deri atëherë, forcat ushtarake amerikane ishin tërhequr nga Afganistani, duke çuar në rënien e qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja. Çmimet e gazit dhe inflacioni po u afroheshin niveleve më të larta që nuk ishin parë në dekada. Rritja ekonomike e SHBA-së, e cila ishte rikthyer nga pandemia, shkoi në rënie.

Vlerësimet për Bidenin pësuan rënie të dukshme. Mjedisi politik që ishte dukur aq armiqësor ndaj Trumpit në fillim të vitit 2021, kishte filluar të ndryshonte.

“Joe Bideni dështoi të adresonte shqetësimet fillestare të votuesve”, ka thënë Lanza. “Kjo ia hapi Donald Trumpit një dritare”.

Mar-a-Lago u bë pikë ndalimi e detyrueshme për çdo kandidat konservator që kërkonte të bëhej i nominuar partisë së tyre. Miratimi nga ish-presidenti ishte çmimi më i lakmueshëm – një çelës për të zhbllokuar mbledhjen e fondeve dhe mbështetjen konservatore në themel.

Katër nga gjashtë anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për gjykimin e Trumpit dhe po konkurronin për rizgjedhje, u mundën nga kandidatët e mbështetur nga Trumpi në zgjedhjet partiake. Ndërkohë, kandidatët për Senat si JD Vance në Ohio dhe Herschel Walker në Georgia dolën përpara me ndihmën e mbështetjes së Trumpit.

“Mbështetja e tij ju garanton vetëm një fitore fillestare”, pati thënë Brian Seitchik, i cili punoi si drejtor në Arizona për ekipin e fushatës së Trumpit më 2016.

Nga katër kandidatët për Senat të aprovuar nga Trumpi, vetëm një, Vance, mundi kundërshtarin e tij demokrat. Ndërsa republikanët rimorën ngushtë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, duke e ngritur Kevin McCarthyn në kryetar, partia rezultoi keq dhe demokratët e mbajtën kontrollin e Senatit.
Në Florida, guvernatori Ron DeSantis pati një fitore beafuese të rizgjedhjes, duke nxitur spekulime se ai mund të jetë kryesuesi për nominimin presidencial të republikanëve më 2024.

Vetëm disa javë pas zgjedhjeve të mesmandatit, kur ekspertët ende po pyesnin nëse momenti politik i ish-presidentit kishte kaluar, Trumpi nisi fushatën e tij presidenciale të 2024-tës.

Rruga drejt nominimit 

Nisja e fushatës presidenciale ishte e çuditshme. Pak javë pas dështimit në zgjedhjet e mesmandatit, ish-presidenti u bë kryelajm. Njerëzit po pyesnin nëse ka humbur instinktet politike.

Njoftimi zyrtar e bëri fushatën fillimisht të papërshtatshme për realitetin aktual politik.

Në fillim të fushatës u pa duke ngrënë me Nick Fuentesin, nacionalist i njohur dhe duke postuar në rrjete sociale se Kushtetuta e SHBA-së duhet të marrë fund, e që t’i lejohet riemërimi si president.

“Ai ka njoftuar se do të garojë për president, por a jemi të sigurt se do t’ia dalë?” kishte deklaruar atë kohë McGraw që vinte në pikëpyetje disiplinën e Trumpit.

Prapa skenës, Trumpi po niste operimet. Përvoja e tij ia dha shtytjen e parë në Florida duke marrë nën shoqëri Chris LaCivitan dhe Susie Wilesin, dy emra të panjohur fillimisht, por me përvojë të theksuar.
Përderisa DeSantis ishte në shkëlqim, Trumpi ia arriti që ta eliminonte.

Në këtë kohë nisën edhe hetimet ndaj Trumpit, duke nisur nga hulumtimet e FBI-së për dokumente të ndjeshme kombëtare në Mar-a-Lago në gusht të 2022-s dhe kulmimit me seri akuzash më 2023. Pas kësaj, rreziku që ish-presidenti të shihej prapa grilave, tejkaloi nominimin.

Për shumë në mesin e Republikanëve, me këtë gjithçka mori fund, por jo edhe te disa votues konservatorë që në disa shtete veçse nisën t’i japin gazit për t’u mbledhur rreth liderit të partisë.

Në një sondazh të Republikanëve në Iowa në qershor të 2023-s, një javë pasi Departamenti i Drejtësisë e paditi Trumpin nën dyshimin për keqpërdorim të dokumenteve të ndjeshme kombëtare, u pa se Trumpi ishte në ngritje.

Sipas Lanzas, akuzat krijuan ndarje brenda partisë.

Deri në vjeshtën e 2023-s, Trumpi veçse mori epërsi masive në shumicën e sondazheve paraprake republikane – diferencë që më pas nuk e lëshoi kurrë. Ai shmangte debatet dhe u fokusua në fitimin e mbështetjes kryesisht në fushat ekonomike.

Pavarësisht se grumbulloi 200 milionë dollarë në fonde fushate, DeSantis u tërhoq nga në janar të 2024-s. Trumpi më pas e mposhti lehtësisht ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, dhe gara tashmë konsiderohej e mbyllur.

Për zgjedhjet e treta rresht, ai ishte i nominuari.

Gjykimet dhe triumfet

Drama gjyqësore e ish-presidentit mund të ketë qenë ndihmë për përfitimet e tij politike, por erdhi edhe me rrezikun e madh. Në maj të 2024-s, një juri në Manhattan e dënoi Trumpi për 34 akuza që lidheshin me pagesa për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.

Çdo dënim, megjithatë, dukej se pasohej me fitore të madhe. Më pas aktakuzave u vendos që Trumpit të mos i pengohet rruga e garimit për president.

Ai tashmë ishte duke u përgatitur për garën e madhe – me Joe Bidenin. Në debatin e fundqershorit, Trumpi përfitoi më së shumti duke lënë prapa presidentin konfuz.

Vlerësimi për Trumpin po rritej në vazhdimësi. E pas atentatit ndaj tij në Pensilvani në maj të korrikut, Trumpi u prit si hero në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee.

“Ajo që pamë në Konventë ishte se sa e unifikuar ishte Partia Republikane, për herë të parë pas një kohe të gjatë”, ka thënë McGraw. “Ata ndiheshin tepër të sigurt”.

Shefi i Teslas, Elon Musk – njeriu më i pasur në botë – publikisht doli në përkrahje të Trumpit dhe nisi financimin e organizimeve masive në shtetet e papërcaktuara.

Në atë moment dukej sikur kthimi i Trumpit nga trazirat e 6 janarit 2021 – u përmbush. Nga fitoret ndaj DeSantisit dhe rivalët tjerë të brendshëm, Trumpi u kthye në goditje të fuqishme edhe për Bidenin dhe Demokratët.

Tre ditë pasi Trumpi mori nominimin zyrtar të Partisë Republikane, Bideni braktisi garën dhe i ofroi përkrahje zëvendëspresidentes Kamala Harris.

Për pak javë, Harrisi konsolidoi mbështetjen e partisë së saj, ktheu entuziazmin dhe madje doli përpara në disa sondazhe.

Përpjekjet e Trumpit për rikëndellje nuk patën sukses as në debatin të cilin e humbi përballë Harrisit në shtator.

“Trumpi me të vërtetë nuk u testua deri kur Harrisi u fut në garë”, ka thënë Seitchik. “Gjithçka deri në atë pikë dukej pothuajse parasezon i zgjatur i fushatës”.

Tani sezoni është në fund dhe kampioni ende në dyshim.

Gara konsiderohet aq e ngushtë sa që “foto-finishi” do të duhet për të parë kush del në krye.

Trumpi 78-vjeçar nuk ka pranuar të thotë se ka humbur më 2020. Ka shtuar retorikën e ashpër dhe ka mbajtur tubime të stërzgjatura për të goditur përpjekjet që t’i mvishet “plakja” siç ai ia atribuonte Bidenit sa ai ishte në garë.

Trump ishte në qendër të vëmendjes për 9 vjet në politikë dhe për më shumë se katër dekada në biznes. Duket i palodhur.

Përderisa fitorja e tij s’është e garantuar, veç rikthimi në këtë fazë mund të konsiderohet i jashtëzakonshëm. E nëse rikthimi kulmon me triumf të madh, në Shtëpinë e Bardhë Trumpi do të vërtetojë se është i gatshëm të kapërcejë çdo pengesë.

Premtimet e tij për imigrantët, dëbimi masiv i personave pa dokumente dhe vendosja e tarifave ndaj produkteve të jashtme, Trumpi paraqet riorientim themelor të Partisë Republikane, sipas Seitchikut.
Dhe nëse fiton, mund ta riformojë SHBA-në për brezat që do të vijnë.

koha.ne

SHKARKO APP