BE do emërojë ekspert të pavarur për hetimet në EULEX
Në një konferencë më gazetarë në Bruksel së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, ajo tha se emri i ekspertit do të publikohet gjatë ditëve të vazhdim.
Zyrtarët e EULEX-it thanë javën e kaluar se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, përfshirë një rast të vrasjes së trefishtë. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, ka kërkuar që çështja të hetohet me transparencë të plotë dhe në mënyrën që do të ruajë besueshmërinë e misionit.
Anëtari i komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Eduard Kukan, ka thënë se “dëmi është bërë me akuzat dhe është vënë në pikëpyetje besueshmëria e misionit”. Prandaj, ai ka theksuar se “akuzat për korrupsion dhe rezultatet e gjithëmbarshme të misionit duhet të jenë përparësi numër një. Duhet të vërtetohet qartazi se kush është përgjegjës dhe hetimet brenda misionit duhet të jenë të rrepta”.
Gazeta elektronike EUobserver, e cila raporton mbi zhvillimet në Bashkimin Evropian, shkruan se anëtarët e Parlamentit Evropian janë ndarë shumë të zhgënjyer, me raportimin e zyrtarëve të shërbimit të jashtëm të BE-së në mbledhjen e së hënës në komitetin për politikë të jashtme, të cilët siç thuhet, nuk kanë dhënë asnjë hollësi tjetër nga ajo çfarë është publikuar në medie.
Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, janë shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013. Ajo ka hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje. Gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin zotit Flori për të mundësuar përparimin e hetimeve.
Zyrtarë të EULEX-it besojnë se megjithatë, zhvillimet e fundit nuk do të dëmtojnë imazhin e as besimin e këtij misioni i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.
Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.