BE e shqetësuar për zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem
Përkushtimi që kanë shprehur Kosova dhe Serbia pas takimeve të javës së kaluar në Shtëpinë e Bardhë, se do të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytet të shtetit, ka shkaktuar “shqetësim të thellë” në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian.
Ai ka thënë se BE-ja shpreh “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë.
Stano, megjithatë, ka thënë se vendimi i Serbisë për të bartur selinë e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem dhe ai i Kosovës që, me vendosjen e raporteve diplomatike me Izraelin, ta hapë edhe ambasadën në po këtë qytet, janë obligime bilaterale, që këto dy palë i kanë marrë ndaj Izraelit.
Stano ka thënë se duhet pyetur Kosovën dhe Serbinë se cilat janë motivet dhe pasojat e një vendimi të tillë.
“Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
“Pasi edhe Kosova, edhe Serbia janë shprehur të përkushtuara për integrimet evropiane, si qëllim strategjik, ato edhe duhet të sillen në këtë mënyrë”, ka shtuar ai.
BE-ja ende e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze.
Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.
BE-ja pret që edhe nga shtetet kandidate, të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, t’i përshtatin qëndrimet e veta me politikën e jashtme të BE-së.
Më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem./ REL