Beogradi lëshon fletë­-arrest për Ballistin e dronit

I dyshuari kryesor për lëshimin e dronit të famshëm në stadiumin e Beogradit, dhe i cili, sipas mediave serbe, u bë shkak i ndërprerjes së ndeshjes Serbi-­Shqipëri, ka ikur nga Italia, dhe, sipas gazetës “Kurir” të Beogradit, ai shëtitet lirshëm nëpër Kosovë.

Policia serbe, transmeton Koha.net, sipas kësaj gazete, së shpejti do të mund ta arrestojë, pasi ajo tashmë ka shpallur flet­ë-arrest për Ismail Morinën, i njohur me nofkën “Ballisti”.

Gjithnjë sipas gazetës “Kurir”, policia serbe në bashkëpunim me policitë e tjera të vendeve fqinje, po përpiqet ta arrestojë Ballistin.

Spekulohet se Morina “fshihej” në Itali, së pari në Firence, e pastaj në rrethinë të Lecces, e meqë, sipas Kuririt, rrethi po i “ngushtohet” atje, ka ikur në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Sipas kësaj gazete, Morina përmes rrjeteve sociale, ka “provokuar” (thënie e famshme e Kuririt), pasi javën e shkuar është fotografuar pranë shtëpisë së Adem Jasharit në Prekaz. Ai ka pasaportë shqiptare dhe italiane. Si shumë herë më parë, edhe ky lajm sipas të gjitha gjasave është një spekulim i kësaj medie, e cila është e njohur me qëndrimet ekstreme antishqiptare.

SHKARKO APP