Betohet kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez
Parlamenti i Spanjës zgjidhi një ditë më parë ngërçin politik disamujor për qeverinë, duke votëbesuar kryeministrin Pedro Sanchez në krye. Sanchez ka premtuar politika më të majta së bashku me aleatin tjetër të koalicionit, por vendimmarrja e tyre mbetet e kufizuar nga numrat në parlament.
Socialisti spanjoll Pedro Sanchez ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit, një ditë pas votëbesimit në parlament me mbështetjen e partive të vogla.
Ceremonia e shkurtër e betimit u mbajt të mërkurën në praninë e mbretit të Spanjës, Filipi i Gjashtë.
“Premtoj se do përmbush detyrat e kryeministrit me ndërgjegje dhe nder, me besnikëri ndaj mbretit dhe duke mbrojtur kushtetutën si ligjin themelor të shtetit,” premtoi Pedro Sanchez me dorën në kushtetutë, para Biblës dhe kryqit të krishterë.
Kabineti i tij ministror pritet të shpallet javën e ardhshme, ndërsa posti i zëvendëskryeministrit do i takojë aleatit nga partia Unidas Podemos, Pablo Iglesias.
Dy partitë kontrollojnë së bashku një mazhorancë të brishtë pas zgjedhjeve të 10 nëntorit, pasi kanë vetëm 155 nga 350 deputetët e parlamentit.
Edhe qytetarët e shohin me dyshime stabilitetin e koalicionit më të ri.
“Nuk i dihet asnjëherë reagimit të njerëzve, kjo është e vërteta. Koalicioni me Podemos më shqetëson pak sepse nuk ka qenë asnjëherë në qeveri, por edhe partitë e tjera që e kanë atë përvojë janë sjellë si mos më keq,” deklaron një banore e Madridit.
“Për mendimin tim nga njëra anë ka mundësi për stabilitet, por nga mënyra se si është formuar qeveria, koalicioni nuk ka për të qenë i qëndrueshëm. Kam përshtypjen se nuk do të zgjatë,” shton një tjetër banor i kryeqytetit.
Dy aleatët e majtë kanë premtuar reforma të thella, rritjen e taksimit për personat dhe kompanitë me fitimet më të mëdha, dhe kthimin e disa reformave të miratuara më parë nga qeveritë konservatore.