Biden mesazhe Serbisë: Lëreni pas të shkuarën
Ashtu sikurse pritej, marëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve kanë qenë një prej temave kryesore të diskutuara mes Zv/Presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së numrit 2 të Uashingtonit në Beograd.
Në fjalën e tij, Biden u shpreh se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm më çështjet më problematike të rajonit të Ballkanit, por nënvizoi se Serbia dhe Kosova duhet të lënë pas të shkuarën, sado i vështirë të jetë ky proçes.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e vendeve të gadishullit ballkanik si një kontribues i përparimit të mëtejshëm të Europës, ndërsa e cilësoi Serbinë një gur themeli për stabilitetin e rajonit.
“Përgjatë tre dekadave të fundit e kam parë Kroacinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit si një kontribues i rëndësishëm për një Europë të lirë dhe të bashkuar. Dhe më duhet të them se Serbia në këtë aspekt është një gur themeli. Nëse Serbia ecën mirë ekonomikisht dhe politikisht, i gjithë rajoni ecën mirë dhe kam besim se do ta bëjë diçka të tillë”.
Më tej, Biden vlerësoi lidershipin e kryeministrit Alexandër Vuçiç, duke u shprehur se ai e kishte drejtuar vendin e tij në një rrugë mjaft të vështirë duke regjistruar arritje të rëndësishme.
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kreu i ekzekutivit serb.
Në fjalën e tij Vuçiç u shpreh se e kishte njoftuar zv/Presdientin amerikan për takimin që do të mbajë së shpejti me kryeministrin Edi Rama si dhe një me grupe investorësh nga Serbia, Kosova e Shqipëria.
Ai shtoi se në të shkuarën shqiptarët dhe serbët kishin bërë gabime në raport me njëri-tjetrin, duke theksuar se gjëja më e rëndësishme është një e ardhme e paqtë.
Ndërkohë gjatë vizitës së Joe Biden në Beograd, një grup ekstremishtësh të djathtë, të udhëhequr nga ultranacionalisti Vojsllav Sheshel organizuan një protestë.
Ata mbanin në duar pankarta, ku shkruhej “Votoni për Donald Trump”.
KOHA JONË SONDAZH

