Bisedimet SHBA-Iran në Pakistan, Trump: Ne kemi sistemet më të mira të pastrimit të minave në botë! Hormuzi së shpejti do të jetë i lirë
Presidenti i SHBA, Donald Trump është shprehur optimist për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, për të cilën tha se do të jetë së shpejti e lirë.
Duke folur për një gazetar të News Nation, Trump shprehu besimin e tij se Ngushtica e Hormuzit do të jetë e pastër “në një të ardhme jo shumë të largët”, duke sugjeruar gjithashtu se SHBA e dinë se ku ka vendosur Irani mina nënujore në ngushticë.
Presidenti shtoi, megjithatë, se mbyllja në javët e fundit u ka treguar “njerëzve se ka alternativa ndaj kalimit të ngushticës”.
“Ne kemi pajisjet më të mira dhe më të sofistikuara për pastrimin e minave në botë, e dimë këtë, sapo po i vendosim në vend.” , tha ai.
Po ashtu, presidenti i SHBA ka bërë një reagim edhe në Truth Social, ku shprehet kritik ndaj mediave. Sipas tij, Irani është shkatërruar ndërsa premton sërish se Ngushtica e Hormuzit, që mban të mbyllur Teherani, do të hapet.
“Mediat e lajmeve të rreme janë të ÇMENDURA, ose thjesht të KORRUPTUARA! Shtetet e Bashkuara e kanë shkatërruar plotësisht ushtrinë e Iranit, duke përfshirë të gjithë Marinën dhe Forcën Ajrore, dhe gjithçka tjetër. Lidershipi i tyre është i VDEKUR! Ngushtica e Hormuzit së shpejti do të hapet dhe anijet bosh po nxitojnë drejt Shteteve të Bashkuara për t’u “ngarkuar”. Por, nëse i dëgjoni lajmet e rreme, po humbasim!”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

