Biznesmeni serb, Milan Beko plagoset rëndë në një atentat

“Ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe pacienti është në gjendje të qëndrueshme, por më duhet të këmbëngul se plagët janë jashtëzakonisht të vështira dhe i rrezikojnë jetën,” tha Dusan Jovanovic, zëvendësdrejtor i klinikës së urgjencës për gazetarët.

Dusan Milic, kreu i departamentit të policisë së qytetit, tha se policia ka bllokuar rrugët kryesore të kryeqytet dhe po bën gjithçka që të gjejë sulmuesit.

“Me po kërkojmë për atë që besojmë se qe vrasësi dhe ndihmësi i tij. Policia po kontrollon të gjithë njerëzit e dyshimtë që përputhen me përshkrimin e atentatorëve,” tha Milic për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Ai shtoi se policia nuk kishte informacion më herët që Beko qe kërcënuar apo ndonjë indicie që ai mund të sulmohej.

Gazeta Blic raportoi se atentatori qe fshehur para shtëpisë së Bekos dhe se biznesmeni u qëllua në bark ndërsa po dilte nga makina.

Beko qe një mbështetës aktiv i Partisë Demokratike në opozitë në vitet 1990 dhe u bë kumbari i një fëmije të ish kryeministrit Zoran Xhingjiç dhe një mik i ngushtë i ish shefit të policisë sekrete Jovica Stanisic.

Vonë në vitet 1990, ndërsa shërbente si ministër ekonomie, ai nisi procesin e privatizimit. Në atë kohë ai shikohej si një forcë liberale nën regjimin autoritar të Sllobodan Millosheviçit.

Ai është identifikuar si figurë kyçe në disa privatizime të kryera pas vitit 2000, të cilat policia aktualisht po i heton.

Kompanitë e tij të regjistruara nëpër parajsa fiskale luajtën një rol në shitjen e Portit të Beogradit, kompanisë së pijeve Knjaz Milos, gazetës Vecernje Novosti dhe rrjetit të supermarketeve C market.

Beko është identifikuar gjithashtu si një sponsor madhor i partive politike, krahas pronarit të konglomeratit Delta Holding, Miroslav Miskovic. Beko ia ka dalë të shmangë ekspozimin publik për shumicën e kohës. Miskovic është aktualisht nën hetim për korrupsion.

SHKARKO APP