Bjellorusia ”kërcënon” Ukrainën, Lukashenko: Grupe ushtarake me Moskën
Bjellorusia po merr konturet e palës së përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë. Presidenti Aleksander Lukashenko, mblodhi sot me emergjencë krerët ushtarakë të vendit ish-sovjetik, duke zyrtarizuar marrëveshjen mes tij dhe Vladimir Putin.
Kjo me qëllim për krijimin e një “grupi të përbashkët ushtarak në rajon”, praktikisht forma burokratike për të shpallur atë që mund të cilësohet si një bashkim të forcave të Minskut me ato të Moskës në fushëbetejën ukrainase.
“Themeli i këtij grupi të përbashkët do të jetë ushtria e Bjellorusisë, dhe ky grupim tashmë ka filluar”, deklaroi Lukashenko, që deri më tani kishte mbetur mbështetës, por jo i përfshirë në konflikt, përtej ditëve të para kur tanket ruse u nisën pikërisht nga Bjellorusia ku po zhvillonin një “stërvitje të programuar” për t’iu drejtuar Kievit, duke dështuar më pas në mënyrë të bujshme edhe për shkak të terrenit jo të favorshëm.