Bordi i Paqes, Turqia: Jemi të vendosur për të garantuar stabilitetin në Gazë. Gati të dërgojmë edhe trupa
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan i pranishëm në mbledhjen e Bordit të Paqes, tha se Presidenti Recep Tayyip Erdoğan është i vendosur plotësisht për të garantuar stabilitetin në Gazë dhe Turqia është gati të dërgojë trupa në forcën ndërkombëtare të stabilizimit.
Ai theksoi se Turqia ka dërguar sasi të mëdha ndihme humanitare deri tani dhe është e gatshme të kontribuojë seriozisht në rindërtimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe në trajnimin e një force të re policore palestineze.
“Edhe pse ka armëpushim, kriza humanitare në Gaza mbetet shumë e rëndë dhe kërkon veprim të menjëhershëm e të koordinuar ndërkombëtar”, tha Fidan. Ai shtoi se Turqia është e gatshme të japë trupa për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe do të mbështesë plotësisht përpjekjet e Trump për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, me bazë zgjidhjen me dy shtete.
Bordi synon të mbikëqyrë periudhën tranzitore pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, që i dha fund luftës së gjatë në Gaza. Plani parashikon një strukturë teknokrate palestineze nën mbikëqyrjen e këtij bordi ndërkombëtar me autorizim të OKB-së. Fidan vetë është emëruar nga Trump në bord ekzekutiv 11-anëtarësh së bashku me figura si Sigrid Kaag nga OKB-ja, Reem Al-Hashimy nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerë. Turqia e sheh këtë nismë si pjesë të përpjekjeve më të gjera për paqe dhe stabilitet në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

