Bota e kërkon, por thesari me vlerë 1 trilion dollarë është në duart e talebanëve

Çfarë do të ndodhë me pasurinë e madhe dhe të pashfrytëzuar minerare, tashmë që Afganistani është në duart e talebanëve? Afganistani është një prej vendeve më të varfër në botë. Në vitin 2010, zyrtarët dhe gjeologët e ushtrisë amerikane zbuluan se vendi, i cili ndodhet mes Azisë Qendrore dhe Jugore, kishte depozita me minerale, me vlerë rreth 1 trilion dollarë, që mund të transformonin në mënyrë drastike ekonominë e tij.

Depozita të mëdha me minerale, si hekur, bakër dhe ar, janë të shpërndara në të gjithë vendin. Gjithashtu ka edhe minerale të rralla tokësore, si edhe depozitën më të madhe në botë të pashfrytëzuar me litium, një përbërës i rrallë, por thelbësor, që përdoret në bateritë e rikarikueshme dhe teknologji të tjera, jetike për luftën kundër krizës klimatike.

Potencial i jashtëzakonshëm

Edhe para se presidenti Joe Biden të shpallte se trupat amerikanë do të tërhiqeshin nga Afganistani, duke i hapur rrugën rikthimit të Talebanëve, e ardhmja ekonomike e vendit dukej e zymtë. Sipas vlerësimeve të bëra deri në vitin 2020 nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit, 90% e afganëve jetojnë nën nivelin e varfërisë së përcaktuar nga qeveria, që është 2 dollarë në ditë. Në profilizimin më të fundit të bërë nga Banka Botërore, thuhet se ekonomia e Afganistanit “karakterizohet nga brishtësia dhe varësia prej ndihmave”.

“Zhvillimi i sektorit privat dhe diversifikimi është i kushtëzuar nga pasiguria, situata politike e paqëndrueshme, institucionet e dobëta, infrastruktura e papërshtatshme, korrupsioni i përhapur gjerësisht, dhe ambienti i vështirë për të bërë biznes”, thuhet në raportin e muajit mars të Bankës Botërore.

Kërkesa për metale si litiumi dhe kobalti, si edhe për elementët e rrallë tokësorë si neodimiumi, ka pësuar një rritje marramendëse, pasi këto janë të rëndësishme në kalimin nga makinat me karburant, tek ato elektrike, por edhe industri të tjera që kërkojnë të përdorin energji më të pastra.

SHKARKO APP