BREXIT/ Afati për marrëveshjen shtyhet deri në fund të muajit

Brukseli dhe Londra po zbulojnë mundësi për kompromis për akordin që do të përcaktojë vazhdimësinë e raporteve tregtare mes dy partnerëve.

Gjermania thotë se negociatat duhet të vazhdojnë sa më gjatë të jetë e mundur.

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe po shënojnë progres në bisedimet për marrëveshjen tregtare pas Brexit.

Palët kanë vendosur të shfrytëzojnë ditët në vijim për të gjetur hapësira kompromisi përpara afatit ultimativ të 31 dhjetorit.

Ndërsa dallimet mbeten ende, presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, tha të hënën se secili krah është angazhuar t’i japë shanse zgjidhjeve me mirëkuptim.

“Para së gjithash, ka lëvizje. Me përfundimin e periudhës tranzitore ne presim një fillim të ri me miqtë e vjetër. Por edhe duhet bërë e qartë se pas 1 janarit, për tri javë, Britania do të jetë një vend i tretë për Bashkimin Europian. Ne duam shanse të barabarta, prej fillimit dhe në vazhdim.”

Kundërshtitë mes palëve lidhen me detyrimet që Britania t’i njohë BE-së të drejtën të përdorë zonën e saj detare për peshkim dhe të sigurojë konkurrencë të drejtë për kompanitë europiane.

Kryeministri britanik Boris Johnson këmbëngul se këto janë çështje sovrane të vendit.

Negociatat mes Brukselit dhe Londrës nuk kanë reshtur që kur vendi vendosi në qershor 2016 për daljen nga BE-ja, dhe vetë banorët anglezë presin që ato të mbyllen sa më shpejt.

“Edhe pa marrëveshje, nuk na intereson. Le të dalim por të ruajmë të drejtat tona të peshkimit, sepse kjo duket se është çështja më e nxehtë. Për mua, sa më shpejt të dalim, aq më mirë.”

“Mendoj se do të ishte marrëzi të ndaheshim nga BE-ja pa një marrëveshje sepse është partneri ynë tregtar më i madh. Vendi dha votën demokratike për daljen prej tij, dhe kjo duhet të ndodhë, por një marrëveshje e mirë si për ne, edhe për ata, do të ishte më e duhura.”

Nëse palët nuk ratifikojnë marrëveshjen brenda fundit të dhjetorit, nga 1 janari veprimtaritë tregtare mes tyre do të rregullohen mbi bazën e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të thotë tarifa dhe kosto më të larta të mallrave të importuara nga shtetet përkatëse.

SHKARKO APP