Brexit hap probleme, BE hedh në gjyq Britaninë për kufirin me Irlandën e veriut

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian po i sjell edhe problemet e para ligjore vendit ishullor. Komisioni i BE-së filloi këtë javë veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar. Brukseli zyrtar akuzon Britaninë për shkelje të marrëveshjes së Brexitit për kufirin me Irlandën e Veriut.

Në krahun tjetër, deri në fund të marsit, europianët kanë ofruar për britanikët edhe një zgjidhje me anë të dialogut politik për të shmangur përballjen ligjore.

“Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe ranë dakord për protokollin e Irlandës së Veriut së bashku. Dhe jemi të detyruar ta zbatojmë atë së bashku. Vendimet e njëanshme dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Britania e Madhe hedhin poshtë qëllimin e tij dhe minojnë besimin midis nesh,” -paralajmëroi nënkryetari i Komisionit të BE, i ngarkuar me Brexitin, Maroš Šefčovič.

Marrëveshjet mbi Irlandën e Veriut ishin një nga pengesat më të vështira në negociatat e Brexitit mes palëve. Irlanda e Veriut vazhdon të jetë pjesë e Bashkimit Europian sipas kushteve të protokollit specifik të negociuar mes Londrës dhe Brukselit.

Në fillim të marsit, Londra, në mënyrë të njëanshme, tha se do të zgjaste të ashtuquajturën “periudhë të faljes” për shtyrjen e fillimit të kontrolleve kufitare.

Kryeministri britanik Boris Johnson ishte në Irlandën e Veriut të premten ku ministrja e parë unioniste Arlene Foster e nxiti atë të hiqte dorë nga ato që ajo i përshkroi si rregullime “të patolerueshme” mbi Irlandën e Veriut.

SHKARKO APP