“Brexit”, problem mes Britanisë dhe BE-së, ende nuk ka marrëveshje
Britania dhe Bashkimi Europian nuk kanë arritur ende një marrëveshje për Brexit në bisedimet e zhvilluara vetëm disa ditë para samitit vendimtar të BE-së.
Në një takim mes negociatorit të BE-së, Michel Barnier dhe Sekretarit britanik për Brexit, Dominic Raab, së bashku me 27 ambasadorë të tjerë europianë në Bruksel u spekulua arritja e një marrëveshjeje të mundshme për të vendosur kushtet e largimit të Britanisë nga BE-ja.
Mirëpo Barnier tha përmes një postimi në Twitter se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, disa çështje kyçe janë ende të hapura.
Ai shtoi se çështja që ndan të dyja palët është nevoja e “anashkalimit të një kufiri të ashpër” mes Irlandës së Veriut në Britani dhe Republikës së Irlandës pas Brexit.
Qeveria Britanike ka thënë se ende ka çështje të pazgjidhura, mirëpo ka insistuar se negociatorët kanë bërë përparim drejt arritjes së paktit.
Kryeministrja britanike, Theresa May po përballet me presion nga shumë anëtarë të Partisë Konservative për të mos bërë ndonjë lëshim ndaj BE-së, sidomos në çështjen e kufijve.
Këto bisedime të vështira e lënë të hapur mundësinë për Brexit pa marrëveshje, duke e bërë të paqartë marrëdhënien e bllokut europian me këtë shtet në tregti dhe aspekte tjera, pasi Britania të largohet nga BE-ja.
KOHA JONË SONDAZH

