Britania e Madhe fillon daljen nga izolimi
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave. Në një konferencë për media në Londër, Johnson shpalli disa prej masave që do të lehtësohen, duke filluar nga java e ardhshme.
Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të inkurajohen të shkojnë në punë, tha ai. Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të bëjnë ushtrime në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik. “Ju mund të uleni në diell në parkun tuaj lokal, ju mund të vozisni në destinacione të tjera, madje mund të luani sporte, por vetëm me anëtarët e familjes tuaj”, tha kryeministri britanik. Johnson, në muajin prill ishte infektuar me koronavirusin e ri, dhe kishte qëndruar disa ditë në kujdes intenziv.
“Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore”, tha Johnson. Mbretëria e Bashkuar “do të ndryshojë nga kjo përvojë”, tha ai, duke shfaqur shpresën se “britanikët mund të jemi më të fortë dhe më të mirë se kurrë më parë”. Të dielën (10 maj) në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 269 vdekje të reja nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave, që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në 31,855. Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar gjithsej 216,526 raste të të infektuarve me koronavirus.