Britania i friksohet aleancës së Argjentinës me Rusinë

Rreziku nga pushtimi Argjentinas në Ishujt Falkland, mund të detyrojë Britaninë e Madhe të rrisë ndjeshëm numrin e trupave dhe armatimeve të rënda në arqipelagun në jug të oqeanit Atlantik.

Tabloidi anglez, “The Sun”, raporton se ministri i Mbrojtjes, Majkëll Fallon shumë shpejt do të shpallë masat për të rritur sigurinë në ishujt Falkland për shkak të një raporti mbi sigurinë ku thuhet se Argjentina mund të nisë ofensivën pasi ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë, sipas të cilës do të furnizohet me avionë luftarakë rusë.

Momentalisht Britania e Madhe ka të stacionuar në Ishujt Falkland vetëm 1200 trupa dhe një numër të vogël helikopterësh dhe avionësh luftarakë Tajfun, numër ky që pritet të rritet në mënyrë të konsiderueshme.

Debati mbi kontrollin e atyre që argjentinasit i quajnë Islas Malvinas, është rritur ndjeshëm vitet e fundit që kur në postin e presidentes së Argjentinës është ngjitur Kristina Fernandez de Kirshner.

Britania e Madhe sundon në këto ishuj që prej vitit 1883, por Argjentina pretendon se i përkasin asaj. Në prill të vitit 1982, për pak kohë, ushtria argjentinase i pushtoi ishujt, por pas dy muajsh konflikt të armatosur, Britania rivendosi kontrollin mbi to.

SHKARKO APP