Bugajski: Rusia i gëzohet destabilizimit grek të Maqedonisë

Analisti dhe eksperti amerikan për Ballkanin Janush Bugajski, paralajmëron se Rusia tenton t'i thellojë lidhjet e saja me Qeverinë pro-ruse të Aleksis Cipras në Greqi dhe njëherit të vazhdojë me bllokimin e pranimit të Maqedonisë në NATO, duke shpresuar se do të ketë sukses që edhe Maqedoninë ta vendosë në sferën e tij të ndikimit. Në tekstin e titulluar "Moska i gëzohet dramës greke-maqedonase", eksperti i Qendrës për analiza politike evropiane nga Uashingtoni u përqendrua në bllokadën shumëvjeçare greke të pranimit të Maqedonisë në NATO duke thënë se njëra prej qëllimeve strategjike të Rusisë është që ta pengojë zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO-s dhe shtoi se edhe publikimi i incizimeve të Zoran Zaevit kontribuon ndaj distancimit të Maqedonisë nga NATO-ja, transmeton Koha.

"Me kontestimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, Athina me këmbëngulje shkon pas linjës ruse dhe e bllokon rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Zgjedhja e lëvizjes majtiste SYRIZA në Greqi, vetëm e rrit kënaqësinë në Moskë dhe e përforcon disponimin anti-NATO dhe anti-amerikane në Athinë. Si shpërblim, Putini personalisht e ftoi kryeministrin Aleksis Cipras në Moskë", shkruan Bugajski, duke përkujtuar se SYRIZA e ka mbajtur të hapur palën pro-ruse në konfliktin në Ukrainë, ndërsa ka kontakte edhe me Aleksandar Dugin, ideolog i idesë për krijimin e forcës globale – Euroazi – nën dominim rus.

Bugajski vlerëson se prej atje Qeveria e re greke do të vazhdojë ta kontestojë pranimin e Maqedonisë në NATO, si nga pozitat e deritanishme nacionaliste, ashtu edhe nga pozita e re e skajshme majtiste.

"Duke e pasur parasysh prapavijën e saj ideologjike, Qeveria greke do ta pengojë zgjerimin e NATO-s dhe pranimin e Maqedonisë duke thënë se NATO-ja është mjet i kapitalizmit global. SYRIZA mund t'i keqpërdorë edhe ndjenjat nacionaliste kombëtare, duke pasur parasysh se politikat e saj ekonomike janë të dënuar në mossukses. Për të marrë mbështetje nga partneri nacionalist i koalicionit Panos Kamenos për politikat e tij ekonomie, Cipras mund t'i ngrijë negociatat për Maqedoninë, që sërish në mënyrë të përkryer do të përshtatet edhe në politikën e Kremlinit, për ndërprerjen e zgjerimit të Perëndimit", thotë Bugajski.

Sipas analistit amerikan, Moska tenton të afrohet edhe deri te Maqedonia, veçanërisht pas akuzës së paraqitur për liderin e LSDM-së Zoran Zaev në aksionin Puç.

"Shkupi vlen nga thashethemet se shërbimi sekret grek tenton ta destabilizojë Maqedoninë duke i dhënë Zaevit dëshmi për manipulime të pretenduara ekonomike, që solli deri në reagim të Qeverisë", shkruan Bugajski.

Sipas tij, Rusia shpreson se do të arrijë ta prezantojë kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski si edhe një Viktor Orban, politikan i cili do të jetë i izoluar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, me çka Moska do të mund të promovohet në mbështetës të Maqedonisë dhe do t'i shtyjë interesat e tij ballkanike përmes nesh.

"Qëllimi parimor i Kremlinit të Ballkanit është që t'i pengojë planet e Perëndimit. Përveç që i shfrytëzon ndarjet në Bosnjë dhe kontestin shqiptaro-serb, ajo në të ardhmen gjithnjë e më shumë do të luajë në hartën greke dhe maqedonase, për të penguar çfarëdo zgjidhje të kontestit për emrin. Moska pohon se mbështet 'vende sovrane demokratike' dhe kundërshton në grusht-shtete të mbështetura nga Uashingtoni dhe Brukseli, pas shembullit të atij në Ukrainë. Në të vërtetë, SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë ato të cilat e destabilizojnë Maqedoninë, por papajtueshmëria greke për çështjen e emrit e destabilizon tërë fqinjësinë duke nxitur tensione politike dhe etnike në Maqedoni. Jostabiliteti i madh është në fushën e Moskës dhe e minon procesin e zgjerimit të Perëndimit. Kremlini ndjehet shumë rehat në labirintet politike të Ballkanit", përfundon Bugajski në analizën e publikuar nga Qendra për analiza politike evropiane. 

SHKARKO APP