Bullgaria kërkon nga BE të mos njohë kombin dhe gjuhën maqedonase
Qeveria bullgare do që BE-ja t’i ndalojë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut, derisa vendi kandidat të pranojë se është historikisht dhe gjuhësisht pjesë e Bullgarisë.
Një mosmarrëveshje historike e ndezur midis dy vendeve fqinje në Ballkan është duke u bërë një çështje për Brukselin, sepse negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut pritet të fillojnë në dhjetor të këtij viti.
Qeveria e shtetit që i përkiste Jugosllavisë deri në 1991 dhe është kandidat i BE që nga viti 2005 shpresonte se u kishte dhënë fund të gjitha mosmarrëveshjeve historike me fqinjët e saj duke ndryshuar emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut. Pasi u anëtarësua në NATO marsin e kaluar, vendi më në fund donte të niste rrugën e gjatë për anëtarësimin e plotë në BE. Por Bullgaria i sheh gjërat ndryshe.
Një dokument i titulluar “Memorandum Shpjegues mbi Marrëdhëniet e Republikës së Bullgarisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe procesin e asociimit dhe të stabilizimit” tërhoqi vëmendjen e mediave të Maqedonisë së Veriut javën e kaluar.
Dokumenti prej 6 faqesh u dërgua nga kryeqyteti i Bullgarisë Sofje në 26 kryeqytetet e BE-së në gusht 2020. Ai shpjegon qëndrimin bullgar për disa çështje historike. Thelbësore për këtë janë “ndërhyrjet etnike dhe gjuhësore” që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut në vitet 70 që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Procesi i pranimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut ofron një mundësi të vërtetë për udhëheqjen e saj për të hequr dorë nga trashëgimia dhe praktika ideologjike e Jugosllavisë komuniste. Procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë ndërhyrjen etnike dhe gjuhësore të regjimeve të kaluara autoritare,” thuhet në memorandum.
“Maqedonas” – një identitet artificial?
Sipas historiografisë zyrtare bullgare banorët me origjinë sllave të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe flasin bullgarisht – por u lanë trurin gjatë regjimit komunist në Jugosllavinë e Titos (1945-91). Një identitet dhe gjuhë e re “maqedonase” u imponuan artificialisht. Ky pretendim nuk është i ri, është pozicioni zyrtar i Bullgarisë që nga vitet 1950.
Por si anëtare e BE-së Bullgaria tani ka një avantazh ndaj kandidatit të BE-së Maqedonisë së Veriut, avantazh që Sofja padyshim që dëshiron të shfrytëzojë.
Profesor Dr. Ulf Brunnbauer, drejtues i Departamentit të Historisë së Evropës Juglindore dhe Lindore në Universitetin e Regensburgut, i tha DW se memorandumi ishte mënyra e Bullgarisë për “zbatimin e një këndvështrimi nacionalist ndaj historisë dhe kulturës së një vendi tjetër dhe banorëve të tij”. Brunnbauer vazhdon: “kjo është sikur gjermanët t’u thoshin austriakëve se ata në të vërtetë janë gjermanë, ose nëse Danimarka do t’i deklaronte norvegjezët si anormalë, sepse vendi i tyre dikur ishte pjesë e Perandorisë daneze dhe gjuha e tyre standarde u zhvillua më vonë se gjuha daneze”.