Bullgaria mbyll kufirin me Turqinë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Bullgaria ka mbyllur kufirin e saj me Turqinë për të parandaluar që turqit-bullgarë të hyjnë në vend gjatë ditëve të para të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë vlen nga mesnata e 23 prillit deri më 27 prill, në përpjekje për të parandaluar udhëtimin, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Më shumë se 300,000 qytetarë bullgarë jetojnë në Turqi. Shumica e tyre janë turq etnikë, me origjinë bullgare, që ikën në Turqi më 1989 për shkak të diskriminimit nën regjimin ish-komunist.
Mbyllja e kufirit erdhi si përgjigje e informacionit që shumë turq bullgarë në Turqi kishin planifikuar të vizitonin të afërmit në Bullgari.
Turqia ka regjistruar rreth 100,000 të infektuar nga koronavirusi dhe 2.491 vdekje, duke e bërë atë një nga vendet më të goditura në botë.
Autoritetet në Turqi kanë zbatuar një bllokim katër-ditor në 31 qytete, përfshirë Ankaranë dhe Stambollin. Xhamitë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë Ramazanit për të frenuar përhapjen e virusit.
Bullgaria ka 1,097 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 52 vdekje.
Zyra e Myftiut në Bullgari njoftoi se xhamitë do të mbeten të mbyllura gjatë Ramazanit dhe lutjet do të transmetohen në internet.
Me rekomandimin e Bashkimit Evropian, Bullgaria në fund të marsit mbylli kufijtë e jashtëm të BE-së për shtetasit e vendeve të treta.