Burri në Itali shkon me krah silikoni për t’u vaksinuar
Një 50-vjeçar në Itali donte të merrte “Green Pass”, por pa u vaksinuar. Mediat italiane shkruajnë se në qendrën shëndetësore të Biella-s, është paraqitur me një krah të rremë silikoni një burrë, i cili donte të bënte dozën e parë të vaksinës.
Por infermierët e kanë vënë re dhe kanë thirrur policinë. Burri 50-vjeçar është denoncuar në prokurorinë publike. Ndërsa këshilltari Shëndetësor i Piemontes e ka konsideruar si “një gjest të një graviteti të jashtëzakonshëm”.
“Rasti përkufizohet si tallje, por ne po flasim për një gjest të një graviteti të madh, e papranueshme përballë sakrificës që pandemia po bën të paguajë të gjithë komunitetin”-ka thënë këshilltari i Shëndetësisë ne Piemonte.
Mediat italiane shkruajnë se silikoni ishte shumë i ngjashëm me lëkurën e vërtetë: por ngjyra dhe perceptimi në prekje e bënë menjëherë të dyshimtë për punonjësin shëndetësor të përfshirë në vaksinim, i cili për këtë arsye i tha personi të tregonte krahun e tij të plotë.
Pasi u zbulua, burri u përpoq të bindte punonjësin që të “mbyllte një sy”, por ai nuk e ndihmoi.