Call center-at ‘në shërbim’ të pandemisë – Ky shtet europian do të punësojë 2000 persona për hetimin e rasteve me COVID-19

Belgjika do të punësojë 2,000 persona në call center, të ngarkuar me hetimin e rasteve të dyshuara të Koronavirusit. Anëtarët e stafit do të flasin me njerëz që kanë virusin, të kuptojnë se me kë kanë qenë në kontakt, dhe më pas të njoftojnë këdo që mendojnë se mund ta ketë kontraktuar atë.

“Për secilin person të infektuar rishtas, hetuesi do t’i kontaktojë ata duke pyetur se me kë kanë qenë në kontakt për 14 ditët e fundit,” shpjegoi Gilles Vanden Burre, një deputet belg. “Pas kësaj, personi i call center-it do t’i thotë këtyre njerëzve: ju keni qenë në kontakt me dikë që ka testuar pozitivisht për Covid-19 sot, kështu që ne rekomandojmë një seri masash dhe veprimesh. Megjithatë, natyrisht, nuk do t’i jepet emri i personit që e ka infektuar“, u shpreh ai.

Iniciativat vijnë ndërsa shtetet europiane përgatiten të bëjnë tranzicionin nga bllokimi në fazën kur qytetarët do kthehen në punë, shkolla dhe hapësira publike.

“Me strategjinë e lehtësimit të bllokimeve, rihapjes së bizneseve, shpresojmë të shohim familjet tona, miqtë tanë shumë shpejt, në grupe të vogla”, thotë Burre. “Është thelbësore të jesh në gjendje të gjurmosh në detaje evolucionin e sëmundjes, sepse përndryshe ekziston rreziku për të patur një kulm të ri brenda disa muajsh dhe masat e kontrollit do të duhet të merren përsëri, gjë që askush nuk dëshiron”.

Franca, ku bllokimi do të përfundojë më 11 maj, ka krijuar një linjë telefonike kombëtare me të ashtuquajturit “asistentë digjitalë”, të cilët do të ndihmojnë të kontrollojnë nëse telefonuesit kanë simptoma të COVID-19. Telefonuesit në shërbimin falas AlloCovid do t’i nënshtrohen njërit prej 1.000 “agjentëve inteligjentë virtualë”, të cilët do të dëgjojnë simptoma dhe do të vlerësojnë nëse ka të ngjarë të jenë infektuar.

Vende të tjera – përfshirë Kinën dhe Izraelin – kanë nisur aplikacione për gjurmimin e telefonisë celulare që lejojnë autoritetet të gjurmojnë se ku kanë qenë njerëzit me koronavirus dhe me kë kanë kontaktuar.

Por në Europë  në lidhje me këtë janë ngritur shqetësime për liritë civile dhe mbrojtjen e të dhënave. Dhe pikërisht për këtë stafi i call center-it në Belgjikë nuk do t’i zbulojë emrat e rasteve të COVID-19.(EN)

SHKARKO APP