Çfarë është terapia kundër homoseksualitetit, “ngërç” edhe në Norvegji
Në parlamentin norvegjez prej disa ditësh po diskutohet terapia e konvertimit, e cila pretendon se ka ndryshuar orientimin e personave me tendenca drejt homoseksualitetit apo edhe transeksualëve përmes kurave psikologjiko-shpirtërore, ku futen lutje, psikoterapi, lexime nga libra fetarë dhe kërcime.
Kryeministrja Erna Solberg e përcakton terapinë në fjalë një gabim, dhe kërkon heqjen e saj, ndërsa kristian-demokratët, partner në koalicionin qeverisës, nuk duan që terapia të ndalet. Në mes të këtij ngërçi, zgjidhja e vetme mbeti votimi, e cili do të ndodhë brenda pak kohe në parlament.
Kjo çështje u diskutua më herët edhe në parlamentin gjerman, ku ministri Spahn insistoi se terapia duhet të ndalohet duke shtuar se ata që vazhdojnë ti ofrojnë ato duhet të dënohen me heqje lirie deri në një vit ose me gjobë të lartë.
Kjo terapi i ka fillesat në SHBA, por u përhap me shpejtësi dhe në Evropën Veriore. Disa mijëra të rinj dhe të rritur mjekohen çdo vit me synimin që të ndryshohet identiteti i tyre seksual. Këto trajtime shpesh shoqërohen me pasoja shumë të njohura si depresion, çrregullime ankthi dhe një rrezik shumë më të lartë për vetëvrasje.
Shumë organizata, përfshirë Shoqatën Amerikane të Psikiatërve, e quajnë të panevojshme pasi pretendojnë se homoseksualiteti nuk ka nevojë për shërim pasi nuk është sëmundje mendore, por një “variant normal i natyrës njerëzore”.
Ndërkaq në rreth një të tretën e vendeve të botës, aktet homoseksuale kategorizohen si krime dhe homoseksualët në shumë vende si Afganistani, Irani, Jemeni, Pakistani, Arabia Saudite ose Sudani kërcënohen nga dënimi me vdekje.