Çfarë po ndodh, Rusia po përdor një raketë të “rrallë” në Ukrainë
Rusia është në telashe serioze. Rezistenca e Ukrainës është shumë më intensive dhe e organizuar nga sa priste Kremlini. Lufta po ngec dhe stabilizimi i frontit duket se është i pashmangshëm, pasi të dyja palët kanë vështirësi të mëdha për të bërë përparime të rëndësishme.
Siç u raportua këtë javë, rekrutimi masiv i ushtarëve në Rusi po bëhet kryesisht në rajonet më të varfra rurale, dhe veçanërisht në mesin e pakicave etnike të vendit, të cilat janë ato që, proporcionalisht, kanë pësuar më shumë viktima që nga fillimi i konfliktit.
Si pjesë e kësaj përpjekjeje shtesë, avionët rusë kanë filluar të përdorin një armë sekrete. Bëhet fjalë për një raketë hipersonike e njohur si Kinzhal. Kjo raketë e teknologjisë së fundit arrin një distancë deri në 2000 kilometra.
Kjo është arma më e sofistikuar në arsenalin e gjerë rus. Megjithatë, deri më tani, ato ishin përdorur rrallë dhe gjithmonë kundër objektivave me prioritet më të lartë. Sepse kjo predhë është sa vdekjeprurëse aq edhe e shtrenjtë. Sulmet e këtij lloji shtojnë ndjeshëm faturën e luftës së Rusisë.