Covid-19, firma gjermane CureVac po përshtat vaksinën kundër tërbimit
Shkencëtarët po punojnë në disa fronte për të gjetur vaksinën kundër koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen e ashtuquajtur covid-19. Firma gjermane CureVac është duke përshtatur një vaksinë ekzistuese për tërbimin me dozë të përgjysmuar për rastin e koronavirusit.
Firma gjermane CureVac, një prej zhvilluesve të vaksinave të financuar nga Koalicioni për Novacionet e Gatishmërinë Epidemike, thotë se mund të prodhojë në masë një imunizueses nëse testimet për vaksinën me dozë të përgjysmuar rezultojnë të suksesshme.
Deri tani vaksina që CureVac po zhvillon ka rezultuar e suksesshme në fazën e parë, për t’u përdorur kundër koronavirusit. Firma pret që të ketë gati një vaksinë eksperimentale rreth qershorit ose korrikut dhe më tej do të kërkojë miratimin e rregullatorëve për testim tek njerëzit.
Florian von der Muelbe, shefi i prodhimit dhe bashkëthemelues i firmës, i tha agjencisë Reuters se doza e përgjysmuar e vaksinës kundër tërbimit do të përdoret për rastin e koronavirusit.
“Ne kemi mbledhur përvojën me vaksinat e tjera profilaktike, për shembull me vaksinat e tërbimit, dhe kemi parë rezultate shumë të mira. Dhe mbi këtë bazë po ndërtojmë një vaksinë të re. Tani kemi një platformë të re, ndaj dhe besojmë se teknologjia me molekulat ARN është një mënyrë shumë e mirë për të siguruar shpejt një zgjidhje.”
Ai shton se me infrastrukturën ekzistuese mund të prodhohen deri në 10 milionë doza. Një cikët prodhimi zakonisht zgjat disa javë, specifikoi një zëdhënës i firmës. Më shumë se një dozë mund të duhet për një person, por një cikël prodhimi mund të shërbejë të shpëtuar miliona vetë.
CureVac është e specializuar në të ashtuquajturat molekula ARN që udhëzojnë qelizat njerëzore të prodhojnë proteina terapeutike që shkaktojnë përgjigje imune kundër kancerit ose sëmundjeve infektive.
Në këtë fushë firma gjermane konkurron me firmën amerikane Moderna, e cila gjithashtu financohet nga Koalicioni për Novacionet e Gatishmërinë Epidemike. Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se do të duhen deri në 18 muaj për të zhvilluar çdolloj vaksine kundër patogjenit.
Në Itali ndërkaq, Instituti Pascale i Napolit po përdor medikamentin ekzistues Tocilizumab për pacientët në gjendje të rëndë. Deri tani në Napoli 6 nga 7 pacientët e trajtuar kanë pasur përmirësime të menjëhershme. Firma që e prodhon ka shpërndarë 600 flakonë në mbarë vendin dhe me këtë medikament janë trajtuar rreth 70 pacientë. Interes për këtë mjekim kanë shfaqur edhe shkencëtarët amerikanë të Institutit Roswell Park. Sapo Aifa, agjencia italiane e barnave të publikojë protokollin mjekësor, ai do t’iu vihet në dispozicion edhe shkencëtarëve të tjerë.