Covid-19 në Europë, shumë shtete regjistrojnë shifra rekord
Çekia, Bullgaria dhe Polonia regjistruan shifra rekord të infektimeve ditore, ndërsa në Paris 40 për qind e shtretërve në terapitë intensive janë zënë nga pacientët me Covid-19. Europa është në alarm dhe shumica e shteteve kanë rikthyer kufizimet.
Autoritetet në Francë paralajmërojnë se më shumë se 40 për qind e shtretërve në terapitë intensive në rajonin e Ile de France, janë tashmë të zëna nga pacientët me Covid-19. Kryeqyteti gjerman, Berlini urdhëroi mbylljen e restoranteve dhe bareve nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në 6:00 të mëngjesit.
Nga e premtja belgët do të duhet të kufizojnë kontaktet e ngushta në një maksimum prej tre personash kur të jenë jashtë shtëpisë, ndërsa Finlanda, e cila regjistroi 227 raste të reja në një ditë, planifikon kufizim të orarit të hapjes së lokaleve dhe restoranteve.
Në alarm janë edhe autoritetet çeke, pasi vendi regjistroi një rekord të ri prej mbi 4400 infektimesh në 24 orë dhe 13 vdekje. Përgjatë 14 ditëve të fundit Çekia ka shënuar numrin më të lartë të rasteve të reja për 100 mijë banorë, në Bashkimin Europian. Shifra ditore rekord raportuan edhe Bullgaria, Polonia dhe Ukraina.