Covid-19 nëpër botë, viktimat po shkojnë drejt 1 milionëshit

Covid-19 në mbarë botë po tregon se virusi vdekjeprurës i ka marrë jetën viktimave në shifra që po shkojnë drejt 1 milionëshit. Pothuajse 33 milionë persona janë infektuar nga Covid-19, që fillimisht u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar. Shumë shtete u detyruan që të aplikonin kufizime të ashpra që kanë pasur ndikim në sistemet politike, sociale dhe ekonomike.

Evropa po përgatitet për një valë të dytë të koronavirusit teksa Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuara po regjistrojnë numër rekord të rasteve të reja. Shumë shtete evropiane po rivendosin masat kufizuese, me qëllim të frenimit të përhapjes së koronavirusit, që shkakton sëmundjen Covid-19.

Paçka rritjes së rasteve të reja me Covid-19, numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet po bie, kjo për shkak të trajtimit më të mirë shëndetësor. Ekspertët thonë se nëse numri i infektimeve të reja vazhdon të rritet, atëherë do të mbingarkohen spitalet, që mund të çojë në rritjen e rasteve të vdekjeve.

Ekspertët shëndetësorë thonë se ka pak gjasa që pandemia me koronavirus të vihet nën kontroll derisa një vaksinë kundër Covid-19 të jetë zhvilluar. Parashikimet e ekspertëve janë se një vaksinë e tillë do të jetë e gatshme në gjysmë e parë të vitit të ardhshëm.

SHKARKO APP