Covid-19 nuk ndalon tregjet, bursat thyejnë rekorde

Në mbarë botën, bursat duket se nuk janë prekur aspak prej Covid-19. Në Frankfurt, indeksi gjerman i aksioneve DAX po thyen rekorde. Gati dhjetë përqind u rrit DAX-i sivjet në tremujorin e parë dhe në të njëjtën kohë ekonomia gjermane u tkurr sërish.

Izolimet prej koronavirusit dhe një rihapje që po shtyhet gjithnjë e më shumë kryesisht në tregtinë me pakicë apo në gastronomi nuk i kanë stepur depozituesit në tregun e aksioneve. “Vër maskën dhe ec përpara”, kjo duket të jetë aktualisht motoja në bursë.

Shpresa bazohet te ndihmat miliardëshe e bilionëshe të shtetit, që po premtohen kudo në botë. Në BE do të derdhen 750 miliardë euro në fondet e rindërtimit. Next Generation EU dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden do të investojë para në infrastrukturë. Ende asnjë cent nuk është lëvruar nga këto, por shpresa në bursë i ka dhënë krah tregtimit të aksioneve.

Edhe spekulimet me çmimet e larta e kanë rritur inflacionin, e kjo mund të kuptohet edhe nga interesat që janë rritur për bonot amerikane të thesarit. Sidoqoftë, nuk pritet që Banka e Rezervave të vendosë frenën. Shefja e Federal Reserve (Fed) disa herë gjatë muajve të fundit ka bërë të qartë, që bankierët e rezervave janë të gatshëm të tolerojnë një rritje të çmimeve deri në 2.4 përqind. Kjo është makineria e prodhimit të parasë, që i mban tregjet në funksionim.

SHKARKO APP